​Delawie: Qeveria e re të punojë për të mirën e gjithë qytetarëve

16.06.2017 18:59:39

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka lavdëruar sot mbajtjen e zgjedhjeve në vend, duke thënë se tash pret formimin e qeverisë së re të Kosovës, e cila do të punojë për të mirën e gjithë qytetarëve të saj.

 

Këto komente ambasadori amerikan i bëri me rastin e ceremonisë për të diplomuarit e programeve studimore master, të cilët i ka përgëzuar për të arriturat e tyre.

Duke folur rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, Delawie tha se ato ishin demokratike dhe se u takon tash të zgjedhurve të ri të popullit që të formojnë qeverinë e vendit.

“Këtë javë vendi juaj po ashtu arriti diçka të rëndësishme me mbajtjen e zgjedhjeve demokratike të dielën dhe ju dhe bashkëqytetarët tuaj  kanë folur dhe tash puna qëndron te përfaqësuesit e ri të zgjedhur që të formojnë qeverinë që do të punojë në interesin më të mirë të juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Zgjedhjet fer dhe kredibile janë esenciale për demokracinë”, ka thënë Delawie.

Delawie duke iu drejtuar të diplomuarve të programeve studimore master, tha se ata kanë marrë shkathtësi dhe dijeni të thella, por ajo që do të bëjnë tash është pjesë e përkushtimeve të vërteta në suksesin afatgjatë.

Ai ka porositur ata që të punojnë për të mirën e vendit të tyre, pasi që Kosova ka nevojë për investime më të mëdha, duke thënë se me padurim pret se çfarë ata do të bëjnë në të ardhmen.