​GREVA NË ARSIM PO KONSIDEROHET E DËMSHME PËR FËMIJËT

12.01.2019 19:22:56

Mësimdhënësve po iu bëhet e padrejtë me ligjin për pagat, megjithatë greva e cila do të fillojë të hënë në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës, po konsiderohet se do të dëmtojë më së shumti fëmijët.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka vendosur që këtë  të hënë do të fillojë greva në të gjitha institucionet arsimore në Kosovë.

Ky vendim erdhi si pasojë e pakënaqësisë së mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave. E përfaqësues të kësaj sindikate kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga greva nëse nuk rritet për 30 përqind koeficienti i pagave.

Greva e cila pritet të fillojë të hënën, po konsiderohet se do të dëmtojë më së shumti fëmijët.

Këtë vendim po e cilëson shqetësues Këshilli i Prindërve të Kosovës. Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti, thotë për KosovaPress se ata përkrahin kërkesën për rritjen e pagave të mësimdhënësve, por nuk e pranojnë grevën si mjet për ta arritur këtë kërkesë.

Edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, njëherësh drejtor në Qendrën për Arsim të Kosovës, revoltën e mësimdhënësve e quan të arsyeshme, por grevën nuk po e cilëson si mjetin e duhur. Sipas tij, problemi është se qeveria po merr kahje klienteliste.

Lidhur me çështjen e pagave, Pupovci propozon që mësimdhënësit të paguhen në bazë të kualifikimeve dhe në bazë të punës që kryejnë.

Edhe ministri i arsimit, Shyqyiri Bytyqi grevën e konsideron si mjet të dëmshëm për fëmijët, e sipas tij, SBAShK-u duhet të bindet për këtë.

Sipas Bytyqit, problemi nuk do të zgjidhet me anë të grevës. Ai ka ftuar SBAShK-un që të hënën të takohen me Komisionin Parlamentar për të biseduar për një zgjidhje institucionale e për këtë ka pohuar se ka përkrahje edhe nga zyra e kryeministrisë.

Ndërkaq, SBAShK-u pritet që të hënën, më datë 14 janar të fillojë grevë e përgjithshme, duke përfshirë të gjitha nivelet arsimore në Kosovë.

Sipas vendimit të SBAShK-ut, greva do të mbahet çdo ditë me fillim nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

Gjatë kësaj kohe, ata kanë bërë thirrje që të ndërpritet çdo aktivitet mësimor deri në realizim të kërkesave të tyre.