​Haliti: Shqipëria ndihmoi Kosovën për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare

17.10.2016 19:32:48

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti e ka falënderuar diplomacinë shqiptare, për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës, në anëtarësimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, Haliti tha se anëtarësimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një shans i madh për Kosovën dhe se në këtë rrugë nuk ka munguar përkushtimi dhe angazhimi  i Shqipërisë në këtë proces.

E ambasadori Qemal Minxhozi tha se  bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim që Kosova të bëjë hapa avancues  dhe të jetë e pranishme me të drejta të plota, në organizma të rëndësishëm evropian.

Ndryshe, gjatë punimeve të mbajtura më datën 5 shtator, Byroja e APKE-së, ndër të tjera kishte marrë vendim edhe lidhur me zbatimin e paragrafit të 13-të të Rezolutës 2094 (2016) për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, sipas të cilit parashihet ngritja e nivelit të bashkëpunimit të APKE-së me Kuvendin e Kosovës.

Gjatë Sesionit të Katërt të Rregullt të APKE-së, ky vendim është ratifikuar me shumicë votash. Bazuar në këtë vendim, që nga janari i vitit 2017, Kosova ka të drejtë të caktojë një delegacion të përbërë prej tre 3 anëtarësh pozitë, opozitë dhe minoritet. Për kalimin e këtij vendimi, kundër të cilit krahas Serbisë ishin edhe përfaqësuesit e disa vendeve që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës falënderon Valentina Leskajn, përfaqësuese e Shqipërisë, e cila është edhe pjesë e Byrosë të APKE-së, për angazhimin e saj me përkushtim gjatë mbledhjeve të Byrosë, Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.