​Kryeministri Mustafa kërkon që Demarkacioni të kryhet këtë vit

21.12.2016 12:53:14

Ratifikimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të bëhet në një seancë të veçantë, vetëm nëse ekziston vullneti i deputetëve dhe qytetarëve, tha në një intervistë për KosovaPress, kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri Mustafa beson se ky vit do të përfundonte më së miri nëse arrihet që të kalohet kjo çështje në Kuvendin e Kosovës.

“Tash mund t’iu them se më së miri, zgjedhja më e mirë do të ishte që ne gjatë këtij viti, do të thotë deri në përfundim të vitit ta ratifikojmë marrëveshjen. Dhe unë do të bëj apel edhe përmes jush tek qytetarët dhe tek deputetët që ne të mblidhemi dhe ta përfundojmë para përfundimit të këtij viti, sepse kjo na mundëson që në fillim të vitit të ardhshëm menjëherë të futet në procedurë në Parlamentin Evropian dhe ne t’i përfundojmë këto përderisa nuk fillojnë proceset tjera në Bashkimin Evropian, sepse në momentin kur fillojnë proceset e zgjedhjeve në disa prej vendeve, së paku në tre vende të Bashkimit Evropian do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm, do të ketë në Holandë, në tre mujorin e parë, do të ketë pastaj në Francë dhe do të jetë në Gjermani. Kjo do të thotë që ne do ta kemi vështirë që karshi nevojave interne që ata të arsyetojnë politikat e tyre të migracionit, të hapjes para opinionit ne pastaj të bëjmë hapa por që është më së se e qartë që do të jetë vështirë që këtë ta bëjmë më vonë”, tha kryeministri i Kosovës.

Isa Mustafa thotë se është vetëm ky kriter i mbetur për t’u plotësuar nga pala kosovare, me çka u mundësohet qytetarëve të vendit që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kryeministri thotë se sa i përket çështjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit, sinjalet nga BE tregojnë që në këtë proces Kosova ka përparuar dukshëm.

“Përndryshe mund të them se në bazë të informatave që i kemi edhe konstatimeve edhe prej përfaqësuesve të BE-së do të thotë neve realisht na ka mbetur vetëm ky kriter, vetëm kriteri i ratifikimit të marrëveshjes. Ndërkaq sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është konstatuar që ne kemi arrit disa suksese se duhet të punojmë më tutje por që ajo nuk do të merret si, nuk do të kërkohet themi një konstantë statike e cila duhet të plotësohet, por është çështja e vetme një trend, të cilën ne duhet ta vazhdojmë”, tha Mustafa për KosovaPress.

“Tani unë mendoj që ne duhet të bëjmë përpjekje pra të gjithë bashkërisht të kemi një mirëkuptim edhe partitë e pozitës edhe të opozitës për të kapërcyer këtë çështje, por assesi që dikush të bindet se ne dëshirojmë t’i falim territor Malit të Zi për shkak se po marrim viza, për këtë arsye unë edhe i kam lut ejani ta formojmë një komision të përbashkët të ekspertëve i cili do ta maste territorin e Kosovës dhe do të konstatoj se a kemi humb territor në këtë vijë kufitare që e kemi shënuar tani, a i ka Kosova 10 mijë e 906 apo 10 mijë e 887 kilometër katrorë ose 10 mijë e 908 sa i kemi edhe të dhënat qoftë libër, qoftë enciklopedi, qoftë në dokumentacion që kemi trashëguar, qoftë të dhëna statistikore, qoftë të dhëna gjeografike, në mënyrë që qytetarët ta dinë. Por, në qoftë se tentojmë të kemi më shumë se këto mandej është çështje tjetër dhe unë në këtë aspekt shoh arsye që pra për ne ta thërrasim mendjen, ta thërrasim logjiken dhe interesin e qytetarëve, të ulemi, të vendosim sepse ky proces gjithmonë në bazë të Malit të Zi mbetet proces i gatishmërisë që pala malazeze të ulet me neve në çdo moment që ne mund të kemi një dokument shtesë me të cilin kishim argumentuar se e kemi administruar më shumë territor që ne ta diskutojmë”, tha kryeministri i Kosovës.