​Veseli lobon në Francë për liberalizimin e vizave

18.06.2018 19:29:43

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga përfaqësues të pozitës dhe opozitës, është pritur në Paris në takim nga kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Francës, Marielle de Sarnez dhe zv/kryetari i Grupit të Miqësisë në Asamblenë Kombëtare, Joachim Son Forget.

Sipas një njoftimi, drejtues të parlamenteve të të dyja shteteve diskutuan gjerësisht për raportet e shkëlqyera që Franca dhe Kosova tashmë kanë konsoliduar midis tyre, si dhe për mundësitë e avancimit të tyre, sidomos në rrafshin parlamentar.

“Kryeparlamentari Veseli i njohu mikpritësit me zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për hapat që janë ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e ligjvënësve francezë në këto procese. Veseli tha se Kosova është e vendosur në rrugën e saj euro-atlantike dhe se Bashkimi Evropian është destinacioni i saj”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se Veseli tha se Prishtina zyrtare, si në politikën e saj të brendshme, ashtu edhe të jashtme, parime bazë ka ato të Bashkimit Evropian, duke u garantuar të gjitha komuniteteve etnike të drejta dhe përfaqësim maksimal, ndërsa kundruall fqinjëve të saj, duke u qasur në frymën e fqinjësisë së mirë e të dialogut.

“Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Francës, Marielle de Sarnez dhe zv/kryetari i Grupit të Miqësisë, Joachim Son Forget, vlerësuan përparimin e bërë në Kosovë në shumë fusha, ndërsa konfirmuan mbështetjen e tyre në proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe ato që e presin në të ardhmen”, përfundohet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.