Odisejada e problemeve shqiptaro-serbe dhe opsionet kontraverze

27.02.2019 21:02:39

Nga Nexhmedin Saqipi

Kohëve të fundit, janë duke qarkulluar në tregun politik opsione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, lidhur me zgjidhjen përfundimtare të problemeve shqiptaro-serbe, përmes fazës përfundimtare të dialogut të Brukselit.

Kjo problematikë kaq re ndjeshme dhe komplekse është vazhdim i përpjekjeve të mëhershme të diplomacisë vendore dhe ndërkombëtare për t’i dhënë fund odisejadës së problemeve shqiptaro-serbe brenda dhe jashtë kufijve shtetëror të këtyre dy republikave, që e kanë fatin politik dhe historik të bashkëjetojnë si dy vende fqinje.

Qysh para 13 vjetësh, pikërisht, në vitin 2006, Partia Demokratike Kombëtare, me seli në Bujanoc, ka pasur si vizion Platformën politike, një dokument i mirë për t’i dhënë fund problemeve shekullore, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për bashkëkombësit  e tyre në krahun lindor dhe për vetë Serbët, të cilët nuk e kanë idenë se si do të dalin nga qorrsokaku dhe ngërçi politik, i cili pamëshirshëm e ka mbërthyer vendin.

Opsionet kontraverze

– Çështja e pazgjidhur shqiptare në Luginën e Preshevës, aktualisht e mbetur nën Serbi, çështja e veriut të Kosovës dhe çështja e ndarjes së Mitrovicës kanë mbetur si çështje të pazgjidhura në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe paraqesin një konflikt të ngrirë, tani të theksuar përmes dialogut të Brukselit, e që po qarkullon si një potencial i frikshëm për të dy republikat me probleme të mprehta shumëvjeçare.

Dy anët e litarit të tërhequr nga Prishtina dhe Beogradi, përmes opsioneve: ndarja e Kosovës- Shkëmbimi i territoreve – Korrigjimi i kufijve, statuset speciale për të dy komunat më problematike në rajon Mitrovica (veriu i Kosovës) dhe Bujanoci (jugu i Serbisë), bëjnë që plagët e thelluara gjatë proceseve luftarake, të mos mbyllen kurrë, por të kullojnë gjak në favor të mbajtjes së përhershme të vatrës së krizës e tensioneve ndërkufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

– Pa zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës dhe çështjes së Luginës së Preshevës, Kosova jo vetëm që do të jetë me një stabilitet të brishtë politik dhe e kërcënuar në vazhdimësi, por do të mbetet me probleme të theksuara ekonomike e sociale, pasojat e së cilave do t’i vuajnë vetë qytetarët e saj.

Korrigjimi apo Reciprociteti?!

– Në këtë situatë, zbatimi i të drejtave në mënyrë reciproke si për Leposaviqin, Zveçanin e Zubin Potokun, ashtu edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën do të ishte një hap i madh drejt zgjidhjes së problemit edhe atë me iniciativën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi e që po gjend mbështetje edhe te faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë, përveç te disa oponentë politikë, që për inate të ndryshme bëhen pengesë të këtyre proceseve.

Klasa politike shqiptare në Luginën e Preshevës, ka kohë që nuk është mbledhur për t’i diskutuar opsionet: për ndarjet, bashkimet, shkëmbimet, korrigjimet e kufijve integrimet, por është mbyllur në kullat e fildishta të pushteteve lokale, duke e rrudhur aktivitetin vetëm në qeverisjet lokale, duke lënë anash problemet madhore kombëtare.

Partitë politike shqiptare të këtij rajoni, ndaras veç e veç i prekin këto probleme në mënyrë periferike, por mungon një qasje serioze e këtyre problemeve, dhe një veprim unik për shtrimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve. Nuk zgjidhen problemet e mëdha kombëtare, pa një unitet mes subjekteve politike, të cilat vuajnë nga inatet, ndarjet, përçarjet, nepotizmi etj.

Kanë kaluar jo më pak se 27 vjet që nga Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës, Republikës së Kosovës, pa ndonjë rezultat konkret në këtë drejtim.

Shqiptarët e Kosovës Lindore, janë lodhur dhe mërzitur me politikën e liderëve të saj lokalistë, të cilët merren me rregullimin e infrastrukturës, nënshkrimin e tenderëve, punësimin e të afërmeve të tyre farefisnorë e partiakë e i lënë anësha kërkesat me interes kombëtar.

Qysh atëherë kur Partia Demokratike Kombëtare e deri tani është kërkuar nga partitë politike, institucionet dhe shoqëria civile në Luginën e Preshevës, të mblidhen tok, si një grusht i vetëm, në mënyrë që çështja shqiptare e këtij rajoni të shtrohet drejt e qëndrueshëm. Sa më shpejt aq më lehtë!