10 pikat pse sipas VV-së ende nuk është arritur marrëveshja me LDK-në

23.01.2020 11:59:10

Zyrtari i Vetëvendosjes, Boiken Abazi ka listuar 10 pikat që sipas tij nuk po arrihet koalicioni me LDK-në.

Përmes një postimi në Facebook, Abazi ka thënë se një ndër pikat është se me kushtetutë, kryeparlamentari i takon VV-së, shkruan lajmi.net.

Këtë pozitë ai thotë se e refuzoi LDK-ja para 26 dhjetorit, kur edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti atë ia ofroi partisë së Isa Mustafës.

Postimi i plotë i Abazit në Facebook:

Me kushtetutë kryeparlamentari i takon Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kryeparlamentari iu ofrua LDK-së nga LVV, dhe LDK e refuzoi para 26 dhjetorit.

LVV e propozoi kryeparlamentarin pasi LDK deklaroi publikisht, 3 orë para seancës së 26 dhjetorit, se do ia votonte propozimin në Kuvend.

LVV propozoi dhe votoi në seancë Glauk Konjufcën, i cili u votua edhe nga LDK dhe deputetë të tjerë, duke marrë 75 vota Pro, 27 Kundër dhe 6 Abstenime.

LVV i dha publikisht emrat e 5 ministrave të qeverisë dhe e zëvendëskryeministrit që i takonin sipas marrëveshjes bujare, duke i lënë LDK-së gjysmën e qeverisë.

LDK nuk dha asnjë emër, as për ministra e as për Presidentin që po e kërkon ne ngulm, por po kërkon dorëheqjen e Glauk Konjufcës – edhe pse e votuan vetë dhe ai nuk ka bërë asnjë gabim, e u zgjodh në mënyrë legjitime e ligjore.

LVV i dha mundësinë LDK-së të zgjedh një ministri më shumë në vend të kryeparlamentarit. LDK u zotua ta çonte për votim në Këshillin e saj të Përgjithshëm këtë propozim të LVV, por nuk e bëri.

LVV po e thërret LDK-në të ulet sërish në tryezën e bisedimeve, por LDK po refuzon.

LVV ka bërë transparencë të plotë për publikun e gjerë.

LVV nuk po negocion me asnjë parti tjetër edhe pse mund ta kishte bërë prej fillimit, duke pritur ende LDK-në. Ndërkohë që zyrtarë të lartë të LDK-së kanë folur publikisht për mundësinë e koalicionit me parti të tjera.

*** Dikush mund të jetë mërzitur që nuk po formohet ende koalicioni LVV-LDK, por rilexoni edhe një herë 10 pikat më lart për të parë pse nuk po formohet.