10 vjeçarja nxirret e gjallë nga rrënojat e tërmetit në Itali pas 17 orësh

24.08.2016 23:07:13

Është nxjerrë e gjallë nga gërmadhat thuajse 17 orë që nga rënia e tërmetit një vajzë 10-vjeçare në Peskara del Tronto të Italisë.

Sipas të dhënave të para, e mitura ndodhet në gjendje modeste shëndetësore, ndërsa motra e saj nuk ka arritur të mbijetojë.

E gjitha kjo, kur pak më larg vazhdonin kërkimet për njerëz të tjerë, dy vajza të vogla dhe gjyshen e tyre, të varrosura nën rrënojat e një banese.

Për fat të keq, në këtë rast operacioni i shpëtimit nuk ka patur sukses. Dy të miturat dhe e moshuara janë nxjerrë nga rrënojat, por të vdekura.

Ndërkohë, një garë e ngjashme me kohën është verifikuar edhe në Amatriçe, qyteti tjetër i rrafshuar nga lëkundjet sizmike, ku bëhet fjalë për një djalë 11 vjeç.

“E dëgjuan të thërriste për ndihmë”, tregon një operator shpëtimi. Por në fund, trupi i fëmijës ka dalë në sipërfaqe pas orës 20:00 dhe për fat të keq i pajetë, tranmeton TCh.

Në të njëjtën zonë në mëngjes ishin nxjerrë 4 kufoma dhe 2 vjaza ende të gjalla.

Operacionet e kërkimit në të tre qytezat e shkatërruara nga tërmetet që ranë në seri njëri pas tjetrit vazhdojnë, me ekipet të ndihmuara nga qentë e stërvitur posaçërisht për situata të tilla.

Sipas disa dëshmive, i mituri i ka dërguar një sms me celular të atit, por për këtë nuk ka konfirmim. Prej disa orësh që nga thirrja e tij nuk kishte më sinjale jete.