10 vjeçari mbytet në ujërat e lumit Drin

30.08.2016 11:30:50

Një fëmijë 10 vjeç është mbytur në ujërat e lumit Drin, në fshatin Katund i Ri në Peshkopi. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, dhe ishte babai i 10-vjeçarit i cili bëri denoncimin se djali i tij nuk është parë që nga ora 11:00.

Për herë të fundit ai ishte parë duke u larë në lumin Drin dhe dyshohet se mund të jetë mbytur. Pas kontrollit të ushtruar gjatë gjithë natës, dhe gjatë orëve të para të mëngjesit përgjatë shtratit të lumit Drin në një distancë rreth 5 km, në vendin e quajtur “Shenjat e Brezhdanit”, mbi urën e fshatit Muhurr, është gjetur trupi i pa jetë i fëmijës 10 vjeç, shtetasi me inicialet I. Xh, banues në fshatin Mazhic, Bulqizë.

Nga këqyrja paraprake e kufomës e kryer nga eksperti mjeko-ligjor rezultoi se në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune apo dëmtime të tjera të shkaktuara nga ndonjë faktor tjetër, përveç asaj të mbytjes. Ndërkohë grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e plot të kësaj ngjarje të rëndë.