100 vëzhgues të Bashkimit Evropian do t`moniturojnë zgjedhjet e 22 tetorit në...

100 vëzhgues të Bashkimit Evropian do t`moniturojnë zgjedhjet e 22 tetorit në Kosovë

12.09.2017 12:46:16

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të monitorohen nga 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.

Kjo është bërë e ditur nga shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE në Kosovë, Alojz Peterle.

Në një konferencë për media, Peterle ka prezantuar edhe Raportin Përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.Misioni i Vëzhguesve të BE-së me rekomandime për institucionet e vendit Shefi i Misionit të Vëzhguesve të BE-së Alojz Peterle ka prezantuar raportin përfundimtar mbi zgjedhjet e 11 qershorit.

Ky raport përmban 26 rekomandime për institucionet e vendit në mënyrë që të përmirësohen proceset e ardhshme zgjedhore. Raporti final i EU EOM-it reflekton gjetjet e deklaratës preliminare, ku është gjetur se zgjedhjet ishin vërtetë konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës, por nevojitej vullnet politik për t’i adresuar dobësitë e vjetra si dhe problemet e frikësimit në zonat me serbë të Kosovës.

Peterle theksoi se nevojitet vullneti politik nga i gjithë spektri politik për adresimin e rekomandimeve afatgjate, të cilat përfshijnë përmirësimin e listës së votuesve, mbikëqyrje më të mirë mbi shpenzimet e fushatës, kohën e mjaftueshme për zgjedhjet e parakohshme, përmirësime në sistemin e votimit jashtë Kosovës, përmirësimin e mekanizmit të ankesave zgjedhore, eliminimin e boshllëqeve në rregullat mbi mbulimin medial të fushatës, si dhe pjesëmarrjen më të madhe të grave në procesin zgjedhor. Peterle tha se Bashkimi Evropian do të vëzhgojë edhe zgjedhjet lokale të 22 tetorit derisa bëri të ditur se ditën e zgjedhjeve do t’i kenë deri 100 vëzhgues.