Tahiri pret vendimin e Pacollit për prishje të koalicionit

31.01.2018 20:08:43

I pari i AKR-së, Behgjet Pacolli deklaroi mbrëmë se nuk është i kënaqur me partnerët e koalicionit qeverisës e në veçanti me kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se qeveria e Haradinajt ka humbur dinamikën duke dështuar të adresojë çështjet kryesore me të cilat përballet vendi.

Ministri i Jashtëm ka thënë se kësaj qeverie do t’i humb kuptimi nëse brenda këtyre ditëve nuk ratifikohet demarkacioni pasi qytetarët e Kosovës do të mbesin pa viza.

Lidhur me këtë ai ka theksuar se nëse ratifikimi nuk ndodhë dhe nuk liberalizohen vizat do të largohet nga koalicioni qeverisës.

Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri i ka thënë se çkado që thotë Behgjet Pacolli ashtu do të ndodhë.

“Çka të thotë Pacolli bëhet. Unë jam prononcuar para Pacollit ku më 1 janar kam thënë se në rast se nuk bëhet liberalizimi i vizave dhe kjo punë nuk merret me seriozitet, do të heq dorë nga posti i deputetit”, është shprehur Tahiri.

Kujtojmë se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në shtator të vitit të kaluar, Behgjet Pacolli kishte braktisur LDK-në me të cilën kishte koalicion parazgjedhor për të qeverisur së bashku me koalicionin PAN.