04.03.2019 16:38:01

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 3 vite e gjashtë muaj burgim 20 vjeçarin, i cili goditi dy këmbësore në rrugën “B”, të cilat nga lëndimet e marra ndërruan jetë

I akuzuari L.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vitesh e 6 (gjashtë) muaj për veprën penale Rrezikim i trafikut publik nga neni 378 par. 9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 22.10.2018 e deri më tani, ndërsa i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet që të mbrohet në liri nga data 04.03.2019”, thuhet në njoftimin  e Gjykatës Themelore.

“I akuzuari L.M  është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 22.10.2018, rreth orës 16:10, në rrugën B – afër “Royall Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMW”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos ju dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend kalimin për këmbësor, i kishte goditur këmbësoret L.A dhe F.R e si pasojë e lëndimeve të marra tani të ndjerat kishin ndërruar jetë në QKUK”, thuhet me tej në njoftim.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civilo-juridik.

Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.