“16 shkurti”, Kryemadhi: Kryeministrinë mund ta merrnim për 10 minuta

18.02.2019 22:48:03

LSI vendosi sot për të vepruar në union me aleatët opozitarë, duke djegur mandatet parlamentare, pavarësisht zërave për një përplasje të fortë në parti mes grupit të Monika Kryemadhit dhe grupit të Ilir Metës.

E ftuar në “360 Gradë”, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur për temën më të nxehtë të momentit, duke thënë se djegia e mandateve është e vetmja rrugë demokratike që i ka mbetur opozitës.

“Vendimi erdhi si rezultat i gjithë agjendës opozitare ku për hir të së vërtetës, opozita e bashkuar konsumoi të gjitha mjetet apo lëvizjet e saj me mazhorancën ku për hir të së vërtetës, arroganca apo euforia apo kapja e institucioneve, arriti kulmin. Kam renditur disa problematika që na janë bërë si mirëmëngjes dhe mirëmbrëma. Ajo që sot mund të duket radikale, nuk është e tillë. Është i vetmi element demokratik që i ka mbetur opozitës”, tha Kryemadhi.

Ndërkohë, duke folur për protestën e së shtunës që degjeneroi në dhunë dhe hedhje të gazit lotsjellës nga policia, Kryemadhi theksoi se mbyllja e këtij tubimi ishte përcaktuar në një axhendë politike.

“Nuk ishte sinjal. Ishte agjendë shumë e qartë e opozitës. Mos të harrojmë që pjesëmarrja e protestuesve ishte e jashtëzakonshme. Mbi 20 herë janë hedhur lëndë helmuese ushtarake. Kjo gjë ndodhi në mënyrë permanente. Qëllimin protesta e arriti. E para, tregoi se shumica e shqiptarëve janë kundër Edi Ramës, jo se janë me Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhit. Janë kundër Edi Ramës, kundër çmimeve të energjisë elektrike. Shqiptarët kanë të njëjtën rrogë sot por paguajnë më shtrenjtë”, tha ajo.

Sipas kryetares së LSI, “opozita po të donte, brenda 10 minutave e merrte godinën e Kryeministrisë dhe ia hidhte surratit Edi Ramës”.