17 vjet pas zgjedhjeve të para lokale, koha për një rikthim të fuqishëm të LDK-së

21.09.2017 11:45:48

Nga Rexhep Kastrati

Më 22 tetor do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale që do të përcaktojnë qeverisjet e komunave, kurse nga sot e deri më 20 tetor, partitë do shfaqin vetveten, duke synuar kështu që të bindin qytetarët t’ua japin besimin.

22 tetori si kohë, bie rreth 17 vjet pas zgjedhjeve të para lokale të mbajtura më 28 tetor 2000, kur edhe u kunfirmua fuqia politike e LDK-së dhe vizioni shtetformues i presidentit Rugova.

Në ato zgjedhje, fitorja e LDK-së ishte masive dhe shumë më e lartë sesa ajo që ishte deklaruar nga OSBE si organizatore e zgjedhjeve, ashtu edhe siç ndodhi në zgjedhjet e para të përgjithshme, më 17 nëntor 2001, kur përsëri LDK-së iu zbrit përqindja e fitores për llogari të partive të tjera, me arsyetimin që të krijohej një baraspeshë politike dhe për të mos i lënë me gishta në gojë të ashtuquajturat partitë e dala nga lufta, të cilat mund të destabilizonin vendin.

Koha ka treguar se ky përcaktim ka qenë i drejtë, pasi që vërtet të ashtuquajturat parti të dala nga lufta, për pushtet ishin dhe janë në gjendje të destabilizojnë Kosovën.

Tashmë, qytetarët kanë pasur mundësi që të binden se të ashtuquajturat parti të dala nga lufta, në bashkërendim të plotë me serbët dhe me pakicat tjera janë në gjendje madje t’ia vënë edhe flakën institucioneve, por edhe të mashtrojnë dhe të manipulojnë pa pasur fare frikë se mund të nfëshkohen për të gjitha këto.

Zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën për shkak të angazhimeve të dhunshme, anarkiste dhe destabilizuese, e që u paraprinë nga një fushatë tepër manipulative e PDK-së, VV-së, Nismës, dhe një luftë speciale kundër LDK-së, duke provuar të fusin çarje dhe t’i thellojnë ato, por që pas tyre nuk iu përmbajtën asnjë pike, përveç zellit dhe angazhimit sistematik kundër LDK-së, janë një mundësi për të kuptuar dhe dalluar mashtruesit, manipulatorët, destabilizuesit dhe zjarrvënësit që veç kanë filluar të bëjnë veprime shumë të rënda në dëm të vendit. Dhe kur them këtë nuk kam parasysh vetëm faktin se kanë bërë një Qeveri të varur nga Beogradi dhe me ministra të dyshuar për dhunë ndaj shqiptarëve, por edhe faktin se janë duke e ngatërruar keqas demarkacionin, janë duke e ndërlidhur çështjen e transformimit të FSK-së me Asociacionin, kurse vetë Asociacionin kanë thënë se do ta bëjnë në bazë të marrëveshjes së Brukselit, por jo edhe në bazë të vendimit të Gjykatës kushtetues.

VV, në anën tjetër, përveç anarkisë, dhunës, retorikës luftënxitëse, kundëramerikanizmit dhe kundërperëndimorizmit në përgjithësi, përveç lidhjeve të saj me ekstremeizmin fetar, ka eskaluar në në një racizëm, ksenofobi dhe kundërhebraizëm. Thirrjet për zhdukjen e Izraelit, janë shpërfaqje shumë të rënda dhe shumë armiqësore ndaj një shteti dhe populli miqësor dhe mirënjohës për gjithë atë që shqiptarët kanë bërë për mbrojtjen e pjesëtarëve të tij.

Duket se edhe në këto zgjedhje do të dominojnë tema të politikës së madhe, si dhe do të shpërfaqen retorika agresive dhe manipulative

Është në interes të qytetarëve, është në interes të vendit që secili të reflektojë jo në bazë të emocioneve, as në bazë të ndonjë paragjykimi apo ndikimi nga frymëzime kundërnjerëzore dhe manipulative, sepse vendi, në këtë rast, komunat, duhet të bëjnë atë kapërcimin e madh nga politikat manipulative, populiste dhe zhvatëse në politika zhvillimore, stabilizuese, konsoliduese dhe funksionalizim të kapaciteteve të plota njerëzore, institucionale, ekonomike, sociale dhe arsimore.