183 pacientë të hospitalizuar në QKUK dhe spitalet e përgjithshme në pritje të rezultatit për COVID-19

11.08.2020 17:09:41

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme janë të hospitalizuar 628 pacientë prej të cilëve 440 janë të konfirmuar me COVID-19.

Ndërsa pacientë të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe në spitale private, të cilët ende nuk janë konfirmuar janë edhe 183 pacientë.

Sipas raportit të SHSKUK-së, gjithsej në respiratorë janë 14 pacientë, me metodën CPAP janë 27 pacientë ndërsa në oksigjen janë 419 pacientë.

Në QKUK dhe klinikat e saj gjithsej janë të hospitalizuar 239 pacientë, prej të cilëve 217 janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 10 janë të konfirmuar negativ në testin për coronavirus, ndërsa janë të shtrirë edhe 22 pacientë ende të pakonfirmuar.

Kurse, në raportin e SHSKUK-së po ashtu bëhet e ditur se nëpër spitalet e përgjithshme janë duke u trajtuar 389 pacientë, prej të cilëve janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, 223 persona, ndërsa negativ janë konfirmuar 5 persona, kurse të pakonfirmuar janë edhe 161 pacientë të shtrirë nëpër këto spitale.

Më së shumti pacientë të shtrirë janë në spitalin e Prizrenit, gjithsej 94 persona, prej të cilëve 61 janë të konfirmuar me COVID-19, ndërsa edhe 33 të tjerë janë duke u trajtuar në këtë spital por që ende nuk janë konfirmuar nëse janë apo jo të infektuar.

Kurse, në listën e pritjes për tu konfirmuar janë edhe 40 pacientë të shtrirë në spitalin e Pejës, ku gjithsej janë 73 pacientë, ndërsa prej tyre vetëm 33 janë të konfirmuar me COVID-19.

Në Ferizaj dhe Gjakovë po ashtu janë edhe nga 23 pacientë të hospitalizuar të cilët ende nuk janë konfirmuar me COVID-19.

Në spitalin e Vushtrrisë, nga 43 pacientë të shtrirë, 37 janë të konfirmuar me coronavirus, ndërkaq edhe 6 janë në pritje për tu testuar.

Klinika Infektive – QKUK, Foto: Ridvan Slivova

Kurse, në spitalin e Gjilanit, nga 68 pacientë të shtrirë, 32 janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, ndërsa edhe 36 janë të pakonfirmuar.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 463 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 171 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

IKSHPK njofton se numri total i rasteve pozitive është 10.590 raste nga 41.615 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 354 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 190 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 6.248 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.988.