1981… SI NDODHI DHE CILI ISHTE SFONDI?

11.03.2019 14:56:58

( Fragmente nga “Kapercimi i Vetmise”, UETPress, Tirane 2016)
…Sapo kishte rënë muzgu kur me 11 Mars 1981, më mori në telefon axha Nazmi

(Kryetar i Komunes se Prishtines ) .

Nga Muhamet Mustafa

– Mora vesh tha se studentët janë ngritur në demonstrata tek Qendra e studentëve, nuk duan të hyjnë brenda, janë nisur dhe po defilojnë kah qyteti. Po kërkojnë kushte më të mira.. .
Ç‘është e verteta kushtet atje dhe nuk ishin të mira. Ne kishim vizituar njëherë gjithë konviktet dhe menzen e sudentëve përgjatë një dite, kur isha kryetar rinie me Fatosin. Kishim biseduar me studentë dhe udhëheqësinë e Qëndrës dhe vërejtëm shumë prbleme : mungesa e ujit të ngrohtë, papastertia, problemet e herëpashershme me ngrohje, ndonjëherë edhe cilësia e dobët e ushqimit. Bëmë një raport për këtë situatë duke e cilësuar sinjë burim potencial i pakënaqësive me mundësi eskalimi. Kërkuam që kjo të evitohet, por ne të dy kishim ndrruar punën dhe nuk e dija se çfarë ishte ndermarrë për të evituar ato probleme. Kur po me fliste Nazmiu së pari me shkoi mendja tek këto kushte jo të mira. Menjëherë pas tij më thirri Mahmut Bakalli.
– Eja tha të lutem, edhepse tash nuk je më në rini, ty të njohim dhe ke autoritet te ata. Shko tek studentet protestues dhe bisedo, çfarë duan.
Më porosiste që disi të futen brenda dhe të diskutojmë pa problem për gjithë kërkesat e tyre. Vetëm le të hyjnë brenda, sikur po me lutej ai. Dola dhe i zura para Komitetit duke marshuar në drejtim të Grandit dhe bashkë me ta po bënim rrugën përseri kah oborri i Qendres së studentëve. Pash se edhe Azemi ishte pak para meje ne rresht. Kishte edhe të tjerë. Duke ecur ashtu askush nuk i jepte ndonjë konotacion politik kësaj proteste. Shtroheshin vetëm problemet e nduradurshme që ata kishin në jetën e studentëve. Kur arritëm tek oborri i Qëndres, mu aty ku është hyrja në restaurantin qëndror fillova të zhvilloj një dialog pak më serioz me ta. U thash se kishin të drejtë sa u përketë kushteve se edhe vetë i kisha parë të tilla dhe se e kuptonim këtë shqetësim. Tash do të duhej përfunduar me protesteën dhe i ftova të hynim në një sallë e të diskutojmë dhe t’i zgjedhim problemet. E pash se kjo nuk bëri kurrëfarë ndikimi që ata të ndryshojnë qëndrimin ose bile së paku të luhateshin. Ateherë thash jo pa nervozë:
– Nuk po ju kuptoj çfarë doni në të vërtetë?
Në heshtjen që mbretëroi njëri nga ata, nuk di kush ishte, as nuk kam tentuar ta kuptoj, mu afrua tek veshi dhe tha:
– „Ne duam Republikë“!
Në atë çast nuk reagova. Nuk ishte se nuk e doja këtë kërkesë, po e dija vështirësinë e arritjes së saj. Edhe nuk e mora aq serioze. Megjithatë në ndërdije e mora këtë si një nderë dhe besim të tij ndaj meje dhe kjo që tha ai student mbeti tek unë brenda
SFONDI I DEMONSTRATAVE
Si ndodhi 1981 dhe cilat ishin pasojat dhe efektet ? Ndonëse , pas vitit 1974 jeta shoqëroro-politike zhvillohej në shenjë të një uniteti të udhëheqjes dhe të marrëdhënieve të mira ndërnacionale, nën sipërfaqe pakënaqësia dhe mosbesimi ishte evidente te të dy palët. Vlerësimet ishin se pakënaqësia buron nga marrëdhëniet e vjetra dhe nga kohërat e kaluara dhe se me kohë kjo do të dobësohet dhe tejkalohet. Po në praktikë do të ndodhë e kundërta: pakënaqësia dhe tensioni në marrëdhënieve ndërnacionale do të thellohet dhe zgjerohet gjithnjë e më tepër.
Një sistem shoqëroro-ekonomik i konsideruar si “ vetëqeverisja integrale socialiste” që përbënte bazën e zgjidhjeve të Kushtetutës ’74 nuk funksiononte në sferën ekonomike, ndërsa në atë politike ishte formalizuar me një diskrepancë tejet të madhe midis midis normativës dhe reales. Defektet në funksionimin e këtij sistemi, shiheshin veçmas në Kosovë. E këtu duhet të afirmohej dhe të funksiononte autonomia më e madhe e cila për nga koncepcioni kishte krijuar kushte për zhvillimin e funksionimin e Kosovës si nje entitet i veçantë me pozitë të barabartë ne Federate, po me probleme me Serbinë.
Periudha pas vitit 1978 koincidon me ngecjen ne tempin e zhvillimit të tërë Jugosllavisët e veçmas të Kosovës. Ashpërsohen problemet sociale-ekonomike, të cilat marrin ngjyrë nacionale, dhe në secilën anë interpretohen si rrezikim i etnosit vetiak. Politika e proklamuar mbi barazinë e plotë nacionale në të gjitha aspektet e jetës dhe të punës haste pengesa për tu realizuar edhe përshkak të rritjes joadekuate ekonomike , dobësive në qeverisje dhe e gjithë kjo po e kufizonte objektivisht hapësirën e sendërtimit të kësaj politike.
Në periudhën 1976-1980 norma e shtimit të produktit shoqëror ( një variant i GDP) do të bie më tepër se për gjysmë, prej 7,4 % në periudhën 1971-1975, në 3,5% në periudhën 1976-1980. Në të njëjten kohë norma e investimeve rritet por efikasiteti i tyre zvogëlohet për më tepër se dy herë e gjysmë.
Në këtë periudhë fillon një cikët frontal i investimeve në disa objekte të mëdha infrastrukturore dhe në degët primare-bazike: TC Kosova B, Shkritorja dhe Refineria e plumbit dhe zingut në Trepçë, Feronikeli, Hidrosistemi Ibër dhe Radonjiq, Zgjerimi i mihjes sipërfaqësore në Bellaqevc. Këto objekte do të gëlltisin pjesën më të madhe të mjeteve të parapara për investime. Nga ana tjeter për shkak të menaxhimit të dobët afati i ndërtimit të tyre do të tejkalohet dhe edhe në kushtet e inflacionit investimet në këto objekte do të tejkalojnë vlerën e tyre të parallogaritur prej 3-5 herë. Nga ana tjetër me këto projekte fare pak njerëz do të hyjnë në punë për shkak të natyrës së tyre intesive të kapitalit . Ishte kjo një ndër gabimet e mëdha në politikën zhvillimore dhe ekonomike jo pse këto objekte nuk duhej ndërtuar fare, por pse ishin filluar përnjëherë dhe ndërtimi i tyre ishte udhëhequr tejet dobët pasi tejkalonte kapacitete absorbuse, qeverisese, fiannciare dhe meanxheriale. Mjetet e Fondit Federativ për kreditimin e e entiteteve fedarative që konsideroheshin ekonomikisht jomjaft të zhvilluara ishin angazhuar kryesisht në objektet e përmendura. Akumulimi ( burimet vetiake për inevstime) i ndërmarrjeve tjera ishte fare simbolik, investimet në degët përpunuese të industrisë dhe në veprimtaritë tjera ku do të mund të hapeshin më shumë vende të punës ishin simbolike. Ndaj gjithnjë e më shumë të shprehet kriza për vende të punës. Nga ana tjetër afarizmi i ndërmarrjeve në sferën e ndërtimtarisë, industrisë kimike, në bujqësi ishte i ngarkuar me humbje dhe të ardhura të vogla personale. I gjithë ky konfiguracion e rriste tensionin në sferën sociale gjithnjë e më shumë.
Ritmi i zhvillimit ishte i atillë sa në vend që të zvogëloheshin diferencat e zhvillimit midis Kosovës dhe mesatares së vendit, ato thelloheshin. Dhe pakënaqësia rritej. Rritej pakënaqësia e shqiptarëve përse pjesëmarrja e tyre në jetën ekonomike (punësimi, banesat, të ardhurat) ishite ende nën përqindjes së pjesëmarrjes në popullsi në nivel të Kosovës e të mos flasim për mesataren e vendit. Nga ana tjetër sendërtimi i politikës së barazisë nacionale dhe përmirësimi gradual i pozitës së shqiptarëve interpretohej si rrezikim i pozitës së serbëve, si ngushtim i hapësirës për ta. Këto kundërthënie në vend se të relativizohen, të zbuten, ato do të ashpërsohen gjithnjë e më shumë.
Selekcioni negativ i kuadrave udhëheqëse ishte pista tjeter që pengonte .Si pasojë e ndikimit të strukturave politike (posaçërisht LK) në zgjedhjen e tyre, posaçërisht të drejtorëve, ku shpesh kanë pasur ndikim interesat dhe simpatitë personale. Për drejtorët e shumë ndërmarrjeve ishte më e rëndësishme të qëndrojnë mirë me strukturat politike se sa të kenë rezultate në prodhim e zhvillim të ndërmarrjeve, ishte më mirë të jenë të dëgjueshëm se sa kreativë. Prandaj, përgatitja e kuadrave për proceset bashkëkohore të afarizmit ishte në nivel të pakënaqshëm. Kjo ishte posaçërisht aktuale në komunat jo mjaft të zhvilluara (jashtë 7 qendrave) ku jeta ekonomike e sociale ishte tejet e varfër.
Kur kësaj ia shtojmë edhe pozitën e pavolitshme të degëve kryesore të ekonomisë kosovare në sistemin ekonomik të Jugosllavisë, sidmos në atë të çmimeve, në degët kyçe industriale (energjetika, emtalet me ngjyra)) ,në ndarjen primare ishte vite me radhë jo e kënaqshme gjë që u shpreh negativisht në mundësitë zhvillimore jo vetëm të këtyre degëve por edhe tërë ekonomisë.
Këto dobësi në situatën eksplozive sociale si dhe në vëlimet e tensioneve nënsipërfaqësore ndërnacionale fitojnë peshë edhe më të madhe. Ndonëse shumica prej tyre ishin karakteristike edhe për tërë Jugosllavinë ato në Kosovë do të ngriten në katror si përkah dimensionet, ashtu edhe për nga pasojat.
Mundësitë e kufizuara për gjallërim ekonomik, ngecja në zhvillim do të përjetohet si kufizim në afrimin nacional, kështu që te një pjesë e popullsisë rritej pakënaqësia si ndaj politikës ekonomike në nivel të shtetit, po ashtu edhe ndaj udhëheqjes së Kosovës. Për një periudhë kjo udhëheqje ishte mjaft energjike dhe kategorike në kërkesat lidhur me masat që duhet marrë në nivel të federatës, sidomos për vëllimin e mjeteve nga buxheti federativ dhe Fondi i Federatës, por jo sa duhet edhe në evitimin e dobësive në Kosovë, në komuna dhe ndërmarrje. Dimensioni ekonomik i ngjarjeve në Kosovë të shumtën ose injorohet plotësisht ose shikohet në mënyrë sipërfaqësore. Ky dimension fiton peshë aq më të madhe sa më i madh të jetë e ndërlidhur komponenta nacionale me këtë problem. Begatia e Kosovës me pasuri natyrore nga njëra anë dhe varfëria në anën tjetër nga një pjesë e madhe e popullsisë marrin ngjyrë nacionale dhe kjo ndikon në ngritjen e tensioneve dhe të pakënaqësisë në popull.
Afirmimi nacional ishte përcjellë edhe me zhvillimin e krenarisë kombëtare dhe dhembje për ndarjen e kombite moskomunikimin normal. Kjo ilutrohet edhe me inserte nga dy ngjarje ato vite. Duhet të ketë qenë diku dhjetor apo nendor , me 1975 , kur gjatë Kampionatit ballkanik te vojbollit për femra në ndeshjen Shqiperia –Jugosllavia, e gjithë Salla sportive tash 1 Tetori ( atherë 25 Maji),e mbushur plotë spektatorë me erupcion po perkrahte Shqiperinë gjat[ t[r[ ndeshjes. Kjo u mor si një incident poltik për të cilin u hap një diskutim , po nuk shkoi shumë largë e u hesht. Në krye të Kë shillit Organizativ ishin Kryetari Kryesisë së Kosovës Xhavid Nimani dhe Kryetari Pishtinës Ing. Nami Mustafa. Kjo ishte një demonstratë dhe manifestim politik i llojit të vet. Diçka e ngjashme ndodhi edhe kur po kremtohej 20 vjetori i Fakultetit Filosofik. Mysafir ishte edhe Ismail Kadare. Ishte ulur në rreshtin e parë bashke me te shoqen Elenen. Isha shumë afer tij , një rresht prapa. Kur Dekani e pershendeti atë , duartrokitjet nuk po ndaleshin asesi, ndoshta zgjaten edhe 10 minuta. Pash se Elana Kadarese po i shkonin lotët.
Demonstratat e vitit 1981, padyshim, ishin produkt edhe i këtyre rrethanave politike ekonomike e sociale në Kosovë. Klasa politike edhepse qëndronte fort për mbrojtje dhe avansimine pozitës Kushtetuese të Kosovës ishte oportuniste në disa raste, burokratike. Kishte edhe kalkulantë politikë, siç ka edhe tash , ata shkonin kah e shihnin më oportune. Prapangelja ekonomike e Kosovës, e nga ana tjetër edhe mungesa e „republikës“, ndonëse e shikuar „teknikisht“ nuk ishte hendikep i madh në kontekstin kohor megjithatë në ndërdijen e shqiptarëve paraqiste një mungesë serioze. Edhe gjendja e rëndë e shqiptarëve në Maqedoni përbënte burimin tejtër të pakënaqësisë. Nga ana tjetër edhe ndikimi i politikës së Partisë së Punës dhe Enverit dhe aparatit të saj proganndistik përbënte burimin tejtër. Veprimi i grupeve ilegale në një situatë të tillë nuk duhet ta kishte edhe aq të vështirë të mobilizojë aderues e protestues dhe e gjithë kjo kishte krijuar terrenin e përshtatshëm për këto demostrata. Atherë i kam konsideruar si të dëmshme pasiqë që ato sollën në tavolinë, e më vonë edhe në rrugë, pëseri tezat nga „Libri i kaltër“. Pas tyre jo vetëm në qarqe të ngushta, por të hapura në forume, shtyp dhe media elektronike dhe u vu në pikëpyetje gjithçka që ishte bërë në favor të zhvillmit të Kosovës, kulturës dhe dijes shqiptare. Edhe sot mendoj se në këtë aspekt ato ishin të dëmshme, duke mos u lëshuar në analizën e tyre nga aspektet e ndikimit pozitiv si psh. në sensibilzimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës dhe pozitën jo të zgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi.
Ka pasur spekulime a thua kush mund të ketë qenë organizatori i vertetë i tyre. Kam degjuar orgaizatorët e tyre të flasin për rolin e tyre edhe në ditët e vona pas çlirimit të Kosovës. Me heret ka pasur aluzione per rolin e UDB-së apo të KGB-së e çfarë jo tjetër. Ka qenë edhe një film fikcion që projektonte Luften e III botërore, ku flaka fillonte të ndizej nga Kosova. Edhe Mahmut Bakalli më duket ka pasë bërë një aluzion te KGB-ja, po diçka konkrete nuk është prezentuar . Atë që kam parë dhe ndier ato ditë e që më duket se mund të thuhet me një siguri mjaft evidente është se shërbimet e sigurimit serb e jugosllav e kanë pritur e ndoshta edhe nxitur me metodat e tyre një zhvillim të tillë të ngjarjeve nepërmjet të një lloj skenari (teknikë kjo e parashikimit të zhvillimit të ngjarjeve të mundshme dhe për ndërtimin e strategjisë ekonomike e politike). Ndryshe edhe nuk mund të shpjegohet shpalosja e menjëhereshme e projekteve të gatshme dhe të orkestruara pas marsit të vitit 1981 , thuaja në gjithë sektorët e gjithë problemet për të bërë presionin e përditshëm e sistematik, një lloj blitz krigu i luftës speciale që udhëheqja e Kosovës të futet në defanzivë dhe dalë ngadalë ta humbë terrenin në luftën për të mbrojtur autonominë domethënse territoriale. Udhëheqja politike e Kosovës dhe sherbimet e saj të sigurimit nuk kanë zhvilluar dhe paraprë një skenar të tillë ndonëse në situatën e Kosovës elemetet e të cilat i dhashë më lartë, kjo do të ishte dashtë. Po edhe në situata e periudha tjera ne shqiptarëve na kanë bërë dhe na bejnë vaki që mos të jemi të vëmendëshm e sistematikë, që punët i marrim të vonuar dhe të na zënë në befasi zhvillimet historike, duke pagur një kosto të lartë për këtë.
Po nëse nga një distancë kohore analizohet se cili do të ishin skenari i zhvillimit të ngjarjeve pa këto demonstrata? Një skenar do të ishte se Jugosllavia do të qëndronte ashtu dhe ndoshta do të integrohej në Europë me një lloj konfederalizmi. Skenari tjetër ishte se shpërbërja e Jugosllavisë ishte e pashangshme për shkak të konfliketeve ekonomike e politike dhe për shkak se Serbia si republika më madhe ishte e pakënaqur me pozitën e saj dhe se domsodo do të prodhonte një konflikt. Por nëse në Kosovë do të ishte një udhëheqësi më e forte, një Kuvend që nuk do të aprovonte ndryshimet Kushtetuse të marsit të vitit 1989 , çfarë do ndodhte ? Ndoshta lufta do të fillonte në Kosovë në vend se në Slloveni e mëtutje kjo do të ishte më keq ndoshta, e ndoshta edhe Millosheviqi nuk do të kishte sukses dhe Kosova do ta priste shkaterrimine Jugosllavisë me strukturen saj institucionale. Ka shumë spekulime tash… të tipit çka nëse…
Efekti i demostratve 1981 ishte dobësim i pozitës politike të Kosovës në Jugosllavi, dobësim i pozitës së kuadrave me një taban më të forte kombëtar në strukturat politike që kulmuan me perjashtimine tyre gradual dhe revidimin e Kushtetues dhe abrogimin e autonomisë në mars të vitit 1989. Efekti poztiv ishte se ato domsodo krijuan një homgjenizim më të madh nacional si përgjegje ndaj sulmeve serbe që ishte e mirëserdhuar për ato që përjetoi Kosova pas vitit 1990 dhe i kontribuan ndërkombëtarizimit të problemit të Kosovës, edhepse edhe më heret shtypi botëror pat filluar të merret shumë me Kosovën. Po ajo që shpëtoi Kosovën dhe shqiptarët në te në fakt ishin ndryshimet gjeoplitike, kollapsi i komunizmit, shthurja e Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe me këtë dobësimi pozitës së Rusisë në vijim e me këtë edhe të Serbisë. Nuk jam i sigurt nëse këtë e kanë projektuar organizatorët e këtyre demonstratve. Përndryshe pa këto ndryshime globale skenari i zhvillimit të ngjarjeve pas 1981 në Kosovë ka mundur të jetë më i errtë, bile një skenar shumë i errtë dhe një vuajtje e rëndë në vetmi…