2 vjet zvarritje e (mos)marrëveshjeve për asociacionin e demarkacionin

26.08.2017 23:33:57
Marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin edhe pas dy vjetësh kanë mbetur pezull.

Më 25 gusht janë bërë 2 vjet prej që ish-ministri i Punëve të Jashtme, tani President i vendit, Hashim Thaçi kishte nënshkruar marrëveshjen në Bruksel për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa vetëm një ditë më vonë, më 26 gusht ishte nënshkruar marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me shtetin fqinj, Malin e Zi.

Mirëpo marrëveshjet nuk ishin pritur mirë në Kosovë. Partitë opozitare në mandatin e kaluar, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën filluan një fushatë kundërshtuese ndaj këtyre dy marrëveshjeve.

Fillimisht ato nisën një peticion, i cili mblodhi mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës që ishin kundër këtyre marrëveshjeve. Pastaj nisi kundërshtimi edhe brenda institucioneve.

Këto tri parti opozitare penguan mbajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës, fillimisht duke e gjuajtur me vezë kryeministrin tashmë në largim, Isa Mustafën, e pastaj duke hedhur gaz lotsjellës. Këtë e vazhduan me muaj me radhë.

Bashkëpunimi i këtij trinomi të partive opozitare vazhdoi- herë më shumë, e herë më pak, deri sa u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Mustafa.

Sot, situata politike në vend është krejtësisht ndryshe, 2 prej partive opozitare janë bashkuar me PDK-në, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka afruar qëndrimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ani pse para disa muajve kreun e saj e etiketonte si person përgjegjës për marrëveshjet që sipas LVV-së dëmtojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë, mosratifikimin e demarkacionit dhe ngecjen e marrëveshjes së asociacionit ua ka atribuuar qytetarëve dhe angazhimit opozitar.

“Më duhet të them se po të mos ishte angazhimi qytetar dhe opozitar, sot do të ishim duke i vuajtur pasojat e ‘Zajednicës’ që në thelb është bosnjëzim i Kosovës. Kjo fitore ka qenë e qytetarëve dhe e opozitës dhe unë jam e bindur qe VV do të mbetet e përkushtuar përherë për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës”, tha Haxhiu për Gazetën jeta në Kosovë.

Haxhiu përmendi edhe dhunën me të cilën sipas saj u përball opozita gjatë kundërshtimit të marrëveshjeve.

“Ndonëse gjatë asaj kohe, jemi ballafaquar me dhunën e pushtetit kundrejt nesh, ne asnjëherë nuk jemi ndalur sepse qëllimi ynë ka qenë mbrojta e Republikës dhe territorit.”, tha Haxhiu.

Ndërsa ish-shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tani deputet, Pal Lekaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se AAK-ja do të bëjë kujdes se si do të procedohet tutje.

“Ne i kemi kundërshtuar atëherë dhe do të kemi kujdes se si do të procedohet tutje me këto dhe tema të tjera të ngjashme që e prekin në themel shtetin e Kosovës dhe ekzistimin e tij në të ardhmen. Ne edhe sot edhe nesër do t’i shohim këto marrëveshje si diçka që duhet të përmbyllen në atë mënyrë që nuk e lëndojnë në juridiksion dhe në territor Kosovën”, tha Lekaj.

Sipas tij AAK-ja do të angazhohet që këto çështje të përmbylljen sa më shpejt duke mos prishur fqinjësinë me Malin e Zi dhe duke mos lejuar shtetet përreth që të ndërhyjnë në sistemin juridik të Kosovës.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes Haxhiu uron që AAK e Nisma të mos kenë ndërruar qëndrim për këto dy çështje.

“Uroj të qëndrojnë prapa qëndrimeve që i kanë pasur kohë më parë”, tha Haxhiu për Gazetën JnK.

Demarkacioni- mekanizëm shtrëngues i diplomatëve jokreativë

Gëzim Krasniqi, hulumtues dhe ligjërues ne Universitetin e Edinburgut si dhe njohës i politikës së jashtme, tha për Gazetën JNK se Bashkimi Europian i sheh zvarritjet e marrëveshjeve si mungesë të kapacitetit institucional për t’i zbatuar.

“BE i sheh këto zvarritje si mungesë e kapacitetit institucional dhe politik të Kosovës për të implementuar marrëveshje politike të nënshkruara dhe t’i përfundojnë obligimet e marra. Mbi të gjitha, BE mbetet e shqetësuar për paaftësinë politike të Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Në fakt, sipas shumë zyrtarëve të institucioneve politike të BE-së, Kosova ka humbur shumë në sytë e BE-së nga pamundësia për të përmbushur zotimin e marrë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit”, tha ndër tjerash Krasniqi për Gazetën JNK.

Sipas tij, insistimi i BE-së në marrëveshjen e asociacionit ka qenë më i vogël, duke marrë parasysh dinamikën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me shumë gjasë, pas formimit të institucioneve të Kosovës, BE do të tentojë të ringjallë dialogun me Serbinë dhe të krijojë një dinamikë të re që në anën tjetër do të parashihte afate më të qarta për implementim të të gjitha marrëveshjeve, përfshi edhe atë për asociacionin”, tha Krasniqi për JNK.

Ndërsa ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin Paris Est të Francës, Nezir Kraki duke folur për Gazetën Jeta në Kosovë tha se për këto 2 vjet vonesë, fajtore nuk janë vetëm institucionet vendore por edhe ato europiane.

“Nuk janë vetëm vonesa të institucioneve vendore. Janë paqartësi të pjella në Bruksel dhe të cilat qytetarët e vendeve tona nuk i pranojnë si paketim të gatshëm. Fakti që këto marrëveshje nuk u konkretizuan dhe nuk u pranuan në tërësi as nga palët nënshkruese, na jep të kuptojmë se ato, për fat të keq, nuk kanë qenë as të iniciuara mirë dhe as të ndërtuara në përputhje me rrethanat reale të terrenit. Në realitet ato u menduan si marrëveshje, por u shndërruan dhe u perceptuan ne opinion si mosmarrëveshje”, tha Kraki për Gazetën JnK.

Sipas tij, marrëveshja e demarkacionit është një çështje koti e cila u shpik si mekanizëm shtrëngues i disa diplomatëve pa kreativitet në Bruksel.

“Mendoj se këto dy marrëveshje duhet të rikthehen në diskutimet e fillimit dhe t’u sqarohen opinioneve publike kosovare, serbe dhe malaziase pikë për pikë. Demarkacioni është për mua çështje koti, e shpikur dhe mbetur pezull si mekanizëm shtrëngues i disa funksionarëve të Brukselit që nuk ishin shumë kreativë në diplomaci. Kjo mendoj që mund të rregullohet dhe qartësohet shumë shpejt me Malin e Zi në mënyrë direkte”, tha Nezir Kraki.

Kraki deklaroi se marrëveshja për asocioacionin duhet të rishqyrto0het shkronjë pas shkronje.

“Sa i përket marrëveshjes mbi krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, problematikat janë shumë më komplekse, prandaj duhet të rishqyrtohet çdo germë e çdo fjalë e atij teksti që ka mbetur si fantazmë nen tavolinat e qeverive të Prishtinës dhe Beogradit”, thotë tutje profesor Kraki.

I vështirë kthimi i marrëveshjeve në pikën zero.

Ndërsa për profesorin Gëzim Krasniqi kthimi në pikën zëro nuk është aq i lehtë për shkak se siç thotë ai bëhet fjalë për marrëveshje dypalëshe.

“Kthimi në pikën zero nuk është shumë i lehtë sepse bëhet fjalë për marrëveshje dypalëshe. Në rastin e demarkacionit, rrëzimi i tij në Kuvend praktikisht do ta pezullonte procesin, por për rifillim të procesit duhet edhe konsensusi i palës malazeze”, tha Krasniqi.

Për të forcuar argumentet e tij, Krasniqi përmend so shembull marrëveshjen detare Shqipëri- Greqi.

“Për shembull, marrëveshja detare mes Shqipërisë dhe Greqisë e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ka mbetur pezull në mungesë të pajtimit të palës greke për rifillim të negociatave”, shpjegoi Krasniqi.

Për të çështja e asociacionit është edhe më e ndërlikuar

“Çështja e asociacionit është edhe më e komplikuar për shkak të rolit të BE-së. Praktika e deritashme ka tregu qe marrëveshjet e caktuara të procesit të dialogut edhe mund të rinegociohen me pajtim te të dy palëve (p.sh marrëveshja për lëvizje të lirë është rinegociuar në pjesë të saj disa herë)”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Serbia provokoi prandaj nuk u bë asociacioni

Ndërsa ministrja në largim e dialogut, Edita Tahiri në një intervistë dhënë për BIRN tha se pala kosovare ka qenë e gatshme të nisë procedurat për implementimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo në atë kohë Serbia kishte filluar disa provokime ndaj shtetit të Kosovës.

“E di që ne kemi marrë kritika, mirëpo ne e kemi shpjeguar që në dhjetor i kemi nisur proceset, Serbia e vendosi murin në Mitrovicën Veriore dha sinjal që po i vë mur asociacionit. Nëse do të ishte e interesuar, nuk do t’i bënte ato provokime destabilizuese”, ka thënë ndër tjerash Tahiri.

Mirëpo sipas profesor Krakit edhe nëse Kosova do t’i implementonte këto marrëveshje në tërësi, do të kishte pengesa tjera që do t’i dilnin Kosovës përpara në rrugën drejt integrimit europian.

“Derisa BE-ja të mos e njeh Kosovën në tërësi, duke e anashkaluar në procese aq të thjeshta si liberalizimi i vizave, ne kemi kohë edhe për ridiskutime, sidomos kur ato mendohet se janë në interesin tonë. Nuk mund të bëjmë koncesione politike që do ta invalidonin shtetin e Kosovës nga brenda dhe nga jashtë. BE-se nuk i duhen anëtarë të rinj që kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët. Jam i mendimit se, edhe sikur ato të ishin miratuar, sidomos asociacioni, ato do kishin lindur pengesa të reja në rrugën drejt integrimeve”, tha ndër tjerash Nezir Kraki.

Ish- Presidentja e vendit Atifete Jahjaga për të hequr dilemat rreth vijës kufitare të përcaktuar me Malin e Zi, kishte caktuar 3 ekspertë ndërkombëtarë që do të shqyrtonin marrëveshjen e demarkacionit. Sipas tyre, marrëveshja ishte në rregull, por që institucionet e Kosovës nuk ishin treguar mjaft transparente.Jahjaga kishte qenë nismëtare edhe për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes së Asociacioni të Komunave me Shumicë serbe.

Kushtetuesja kishte gjetur se parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Mirëpo asnjëherë, ky vendim i këtij institucioni nuk është lexuar njëjtë nga pozita dhe opozita.

Qeveria e Kosovës e kishte dërguar më 1 shator të vitit të kaluar marrëveshjen e Demarkacionit në Kuvend, por nuk e kishte propozuar për votim, për shkak se nuk i kishte pasur numrat e mjaftueshëm- dy të tretat e votave të deputetëve.