20 vetori i masakrës në treg të Mitrovicës

13.03.2019 17:31:58

U përkujtua 20 vjetori i viktimave të masakrës së tregut kryesor në qendër të Mitrovicës, ku forcat serbe hodhën disa granata në tregun i cili ishte përplot me njerëz.

Kështu thuhet në njoftimin për media nga zyra për informim të komunës së Mitrovicës, ku si pasojë e hedhjes së granatës nga kriminelët serbë, në treg mbetën të vdekur gjashtë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa lëndime të rënda dhe të lehta morën 128 shqiptarë.

Përfaqësues të institucioneve komunale me në krye Faruk Mujka, nënkryetar i komunës, përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të tjera, familjarë të martirëve dhe qytetarë që atë ditë kishin marrë plagë të ndryshme, u tubuan në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.

Nënkryetari Mujka, tha se  13 marsi i vitit 1999 ishte një ditë e tmerrshme, pasi që në tërë tregun shiheshin viktimat e vdekura e të plagosura.

“Ne emrin tim personal dhe të institucioneve komunale jemi mbledhur këtu që së bashku me ju të ndajmë dhimbjen e cila ndonëse vitet po kalojnë, ajo nuk po zbehet sepse është e thelluar në mendjen tonë, kur dihet se aty humbën jetën më të dashurit tanë dhe shumë bashkëqytetarë të tjerë të pafajshëm, si dhe për vet faktin që drejtësia akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Kjo ditë nuk do të harrohet asnjëherë, por do të kujtohet përgjithmonë në mënyrë që gjeneratave të reja tu tregohet se çka ka qenë në gjendje të bëjë armiku ndaj popullit tonë të pafajshëm”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka.

Në vendin e ngjarjes, ku 20 vite më parë kishte ndodhur atentati folën po ashtu edhe Sabedin Uka, Sadije Musliaj, të cilët kishin pësuar lëndime të rënda në këmbë, duar e pjesë tjera të trupit. Ata kërkuan nga institucionet e shtetit që të bëjnë më shumë për ta, pasi jeta e tyre është mjaft e rëndë.