2000 NXËNËS MORËN PJESË NË GARËN E INTELIGJENCËS EUREKA 6

15.12.2018 23:06:23

Gjimnazi “Hasan Nahi” në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera”, sot organizoi edicionin e gjashtë me radhë Garën e Inteligjencës “EUREKA 6”.

Gara u mbajt në ora 11:00, në të gjithë Kosovën në shkollat e përcaktuara nga komunat përkatëse testi i fazës së parë të kësaj gare tashmë tradicionale të miratuar dhe të përkrahur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe DKA-të (drejtoritë komunale të Arsimit).

Gara e inteligjencës EUREKA 6 sfidoi dijen e rreth 2000 nxënësve më të mirë nga e gjithë Kosova të përzgjedhur nga Klasat e 9-ta nga më se 26 komuna të ndryshme të Kosovës.

Në mesin e rreth 2000 nxënësve, sa ishin pjesëmarrës sot në këtë garë, do të përzgjidhen 250 finalistë, të cilët do të garojnë në fazën finale të Garës Eureka, e cila do të mbahet më 23 mars 2019, ora 11:00 në ambientin e Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë.

“Qëllimi dhe synimi i organizimit të kësaj gare, është që të gjithë bashkarisht t’i dalim për zot brezit të ri të vendit tonë duke i inkurajuar dhe motivuar për dijen dhe shkencën, dhe njëkohësisht për të rritur cilësinë e arsimit, i cili llogaritet si investimi më i mirë për një të ardhme më të ndritur dhe të sigurt për atdheun tonë”, theksoi Fatih Bamja, drejtori i Gjimnazit “Hasan Nahi”.

“Sipas kësaj, puna më e madhe që mund të bëhet në një vend është pikërisht përpjekja në fushën e arsimit. Një shoqëri që studion, mëson dhe këto që mëson i jeton të gërshetuara me vlerat kombëtare, atëherë ardhmëria e kësaj shoqërie është e shëndoshë”, theksoi Bamja.

Ai njëherazi ka falënderuar MASHT-in dhe të gjitha drejtoritë arsimore për mbështetjen dhe seriozitetin e treguar në realizimin e këtij projekti prestigjioz dhe shumë të rëndësishëm.

Në këtë garë i jepet mundësia që çdo nxënësi nga klasat e 9-ta të garojë, të zhvillojë mënyrën e të kuptuarit, të arsyetuarit dhe të logjikuarit të tij dhe të zbulojë talentin e vet.

Rezultatet e fazës së parë të kësaj gare mbarëkombëtare priten të dalin të enjten, më 21 dhjetor, ku do të shpallen 250 finalistë.