“21 janari’, Rama: Vrasësit janë të lirë, por drejtësia është afër

21.01.2017 23:28:55

Në ditën përkujtimore të 6-vjetorit të masakrës së 21 janarit 2011, ku humbën jetën 4 persona të pafajshëm, kryeministri Rama është shprehur me ton dëshpërues përpara familjarëve të viktimave se një ngjaje e tillë nuk do të ndodhë më kurrë kushdo që të jetë në krye të godinës së kryeministrisë.

Rama është shprehur se tashmë asnjë nuk ka më frikë të protestojë për çfarë ai çmon se është e drejtë apo e padrejtë.

“Sot po flasim për një pasqyrë të drejtësisë së vonuar dhe nevojës për të kapërcyer hendekun që është hapur mes bulevardit, mes vendit dhe drejtësisë, – tha Rama. – Sot në bulevard, përveç godinës së kryeministrisë, pamja ka ndryshuar. Janë hequr kangjellat e kyeministrisë, kati i saj i parë u përket artit e kulturës, debatit, leksioneve, nxënësve dhe studentëve dhe asnjë sot nuk ka më frikë të protestojë para asaj godine për gjithçka që çmon të rëndësishme për të protestuar me apo pa të drejtë në këndvështrimin e atyre që janë në godinë. Në 21 janar 2011 u derdhën plumba drejt protestuesve, sot as nuk mendohet një gjë e tillë. Sot nuk ka më dhe nuk do të ketë më kurrëasnjë force kryeministrore t’i japë vetes të drejtë për të qëlluar”.

Sipas Ramës, pas kësaj ngjarjeje, u përdorur pushteti për të penguar drejtësinë. “Katër jetët e humbura në bulevard kërkojnë drejtësi dhe drejtësia për 21 janarin është më afër me zbatimin e reformës në drejtësi që pritet të nisë së shpejti. Ata që duhet të ishin pas hekurave për këtë tragjedi, sot janë të lirë”, – shtoi ai.

“21 janari’, 6 vjet nga masakra në bulevard

21 janariAshtu si çdo 21 janar, të paktën në vitet e fundit, është bërë e zakonshme që të ketë përkujtim dhe buqeta me lule në bulevard, po jo drejtësi.

Sot shënohet 6-vjetori i 21 janarit, protestës, ku u vranë nga Garda 4 persona, ndërsa shumë të tjerë mbeten të plagosur.

Ashtu sikur ka ndodhur çdo vit edhe në përvjetorin e 6-të ka pasur një ceremoni përkujtimi për 4 protestuesit që u vranë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ teksa po merrnin pjesë në një protestë të opozitës (mazhoranca aktuale) kundër qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ceremonia me familjarët e viktimave ishte parashikuar të niste në orën 10:30 në sallën e Hartave, por ajo është shtyrë në orën 13:00 për t’u zhvendosur në Pallatin e Brigadave.

Pritja për familjarët, një vit më parë u bë në ambientet e Kryeministrisë, por për shkak të një proteste, që u zhvillua përpara godinës së Qeverisë sot paradite, pritja do të bëhet në Pallatin e Brigadave.

Siç njoftohet, pas pritjes me familjarët, kreu i qeverisë së bashku me ta, do t’i drejtohen Bulevardit Dëshmorët e Kombit për të kryer ritualin e vendosjes së luleve dhe ndalesës në vendet ku protestuesit humbën jetën.

Pas drekës, bashkë me familjarët e Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Aleks Nika, rreth orës 14:45 minuta, do të vendosin lule pranë vendit ku humbën jetën protestuesit e 21 Janarit para 6 vitesh.

Para 3 ditësh qeveria vendosi dëmshpërblimin e 3 familjarëve të viktimave që u vranë në 2011, ndërsa njëri është ende në proces gjyqësor. Fondi i miratuar nga qeveria është 160 milionë lekë dëmshpërblim

Ndërkohë, ministri Saimir Tahiri tha një ditë më parë se dëmshpërblimi ishte një detyrim i kësaj qeverie, por se drejtësia nuk është vënë në vend.