24 Janari – Ditëlindja njëzet e shtatë e Degës së LDK-së në Malishevë/ Kush ishin themeluesit e ku janë sot ata?

25.01.2017 12:35:42

Pavarësisht nga arsyet e inateve të atyre që më nuk janë në krye të Degës, udhëheqja aktuale, kryetari i katërt me radhë i Degës, meriton përkrahjen më të madhe të aktivistëve të viteve të pas luftës, e jo ndaj tij të mbajnë inate ata që e udhëhoqën këtë Degë për më tepër se një dekadë! Inatet, në shumë Degë të LDK-së, janë sinjalizuesi më i keq për mundësinë e katandisjes në hendekun pa rrugëdalje të partisë së parë politike shqiptare masive, që kishte synim e vizion avancimin e të drejtave të popullit shqiptar si shumicë absolute në Kosovë, për Liri-Pavarësi dhe Demokraci!

Jusuf M. Bytyçi

Që nga Ditët e themelimit, 23 dhjetori 1989, LDK-ja kishte për synim Kosovën e Lirë-shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat Euro-atlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pikërsiht para 27 vjetësh, në Prishtinë, në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, njëherësh edhe seli e LDK-së, u shtua edhe një Degë e LDK-së. Shtatë anëtarët e nënshkruar disa ditë më parë, Cen Desku, Isni Kilaj, Bejtullah Kryeziu, Hasime Mazreku, Jusuf Bytyçi, Besnik Krasniqi dhe Bajram Berisha, prezantuan në regjistrin-arkivin e LDK-së Këshillin nismëtar të themelimit të Degës së LDK-së në Malishevë.

Po atë ditë në Prishtinë, pati protesta gjithë popullore, pati edhe dhunë policore serbe ndaj protestuesve shqiptarë. Pas lagies me toptha uji, policia arriti të arrestojë edhe aktivistë të LDK-së, si Cen Deskun, e Këshillit nismëtar të Degës së LDK-së në Malishevë, etj. Por, aktiviteti nuk u ndal asnjëherë, pavarësisht sfidave.

Dega e LDK-së, të martën, më 24 janar, do të duhej t’a shënonte 27-Vjetorin e themelimit, dy dekada e 7 vite veprimtari politike, por edhe aktivitet me interes kombëtar. Nuk janë pak 27 vjet, janë mjaft “jetë” politike dhe atdhetarie, për faktin se njerëzit që u bënë pjesë e këtij subjekti, të parit subjekt që u themelua më 23 dhjetor 1989 në Prishtinë, ishin “ajka” e kombit në Kosovë, ishin shtresa më e ngritur intelektuale, profilesh të ndryshme, kuadro të dëshmuara akademike në fushat e ndryshme të dijes, të shkencës, të arsimit, shëndetësisë, kulturës, artit etj.

LDK-ja, me kryetarin e zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova, ishte themeluar si alternativa e parë e rezistencës politike shqiptare kundër regjimit komunist jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Dr. Ibrahim Rugova, u shndërrua në një lider epokal, lideri i shekullit të ri të shqiptarëve

Nuk ishte lehtë të veprosh në rrethanat e kërcënimeve të vazhdueshme të regjimit, por LDK-ja fare shpejt u shndërrua në një uragan të fuqishëm që shembi mitet e sistemit komunist në Kosovë. Gjithashtu, kryetari Dr. Ibrahim Rugova, u shndërrua në një lider epokal, lideri i shekullit të ri të shqiptarëve.

Ndonëse aktivitetin e nisi si lëvizje politike, lideri i LDK-së, nuk fshehte pretendimet demokratike e kombëtare. Dëshmi e rrugëtimit të qartë e me një vizion të qartë për të ardhme më të sigurt, ishte edhe gjithë homogjenizimi i popullit shqiptar. Vizioni i Dr. Rugovës ishte për orientimin e popullit të Kosovës drejt perspektivës kombëtare. Kryetari Ibrahim Rugova, dëshmoi lidership të pa kontestueshëm. Ai arriti që çështjen e Kosoves ta shndërrojë në çështje të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.

Edhe përkundër të gjitha pengesave të shumta, Dr. Ibrahim Rugova, si lider i shqiptarëve të Kosovës, arriti që ta sensibilizojë çështjen e Kosovës dhe të ndërtonte një rend demokratik, jo vetëm brenda LDK-së. Ai, shumë shpejt afroi rreth vetes edhe të gjitha subjektet e sapo formuara politike shqiptare në Kosovë e jashtë saj, në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë-Kosova lindore, duke e formuar bashkërisht me liderët e atyre subjekteve edhe Këshillin Koordinues të Partive politike shqiptare, si mundësi e prezantimit të kërkesave gjithë shqiptare në ish-Jugosllavi. Ibrahim Rugova, si kryetar i zgjedhur, ndërtoi një filozofi politike aktive dhe paqësore, krijoi një filozofi politike demokratike, kombëtare e moderne, të bazuar në vlera humane, qytetare e kombëtare, të pranueshme dhe të arsyeshme për faktorin ndërkombëtar. Filozofia e tij politike, megjithatë brenda vetes kishte edhe traditën kombëtare “mbrojtjen e pragut të shtëpisë”, që do të thotë, e kishte menduar edhe luftën. Dr. Ibrahim Rugova, në rrugëtimin e tij politik, kombëtar dhe me pretendime për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, e kishte edhe mbështetjen e fuqishme të miqve ndërkombëtar, SHBA-ve, presidentit Bill Klinton etj. Vizioni i Dr. I. Rugovës, nuk do të plaket, qe shprehur muaj më parë edhe një nga ish-bashkëpunëtorët e presidentit, ish-presidenti Fatmir Sejdiu. “Vizioni i tij asnjëherë nuk plaket. Presidenti Rugova mbetet guri themeltar në projektimin dhe zhvillimin e idesë për Liri, Pavarësi dhe Demokraci të Kosovës”,qe shprehur ish-presidenti Sejdiu, duke vlerësuar se “roli dhe lidershipi i Presidentit Rugova dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, është i pazëvendësueshëm dhe me domethënie të madhe historike për Kosovën dhe shqiptarët”.

Që nga Ditët e themelimit, LDK-ja kishte për synim Kosovën shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat Euro-atlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, Dr. Rugova, e kishte shprehur këtë vizion 27 vjet më parë, dhe tani jemi dëshmitarë të realizimit të misionit të LDK-së e të presidentit Ibrahim Rugova.

E tash që kaluan 27 vite, nga themelimi i LDK-së, të veprimit politik, kombëtar dhe atdhetar, në Kosovën e lirë dhe të pavarur e të njohur ndërkombëtarisht, flitet shumë për filozofinë politike rugoviane. Por fatkeqësisht, në brendinë e LDK-së, pothuaj fare pak ka “rugovizëm” si filozofi politike. Rugovizmi është koncept politik, është teori dhe praktikë politike. Dihet qartë se personaliteti i Dr. Ibrahim Rugovës, ishte shumëdimensional. Ai ishte figurë unifikuese. Prandaj, duket qartë se pavarësisht nga pretendimet dhe pretenduesit, është pothuaj e pamundur që të trashëgohet politikisht.

E, ata që pretendojnë vazhdimin e filozofisë politike rugoviane, që duan ta manifestojnë atë, duhet lënë mënjanë inatet, ndarjet. Ato ishin hendek goxha i thellë për të gjithë, pos për ata që nuk shohin e s’duan të shohin! Ku ra LDK-ja në Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Mitrovicë, Deçan, Kastriot, Kamenicë, Drenas, por edhe gjetiu, në Prizren, e së fundi në Prishtinë…?!

LDK e Malishevës, nga 17 maji 1998 (në një Kuvend të jashtëzakonshëm) e deri më 2002 është drejtuar nga Jakup Kastrati, i cili falë LDK-së, fituese e zgjedhjeve të para të lira të pas luftës për pushtetin komunal, mbajtur në nëntorin e vitit 2000, fitoi pozitën e kryetarit të Kuvendit komunal në Malishevë. Nga viti 2002 e deri në Kuvendin e fundit zgjedhor, mbajtur afro 3 vjet më parë,  Dega e LDK-së u drejtua nga kushëriri i tij, Januz Kastrati, i cili falë LDK-së, pos si këshilltar komunal çdo herë (edhe në përbërjen aktuale të Kuvendit Komunal në Malishevë), ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës e zv.ministër në Qeverinë e viteve 2009-2012. Sami Kafexholli, aktualisht kryetar, është kryetari i katërt me radhë.

Megjithë ikjen e ish-themeluesve-aktivistëve të Degës, tërheqjen e tyre vullnetare për t’ua lënë hapësirën të rinjëve, apo humbja e ndonjërit në votimet e Kuvendeve zgjedhore, LDK-ja mbetet subjekt serioz-institucional. E, me rëndësi do të ishte që udhëheqja aktuale, kryetari i katërt me radhë i Degës, z. Kafexholli me bazë të qëndrueshme-stabile politike, ta ketë përkrahjen më të madhe të aktivistëve të viteve të pas luftës, e jo ndaj tij të mbajnë inate, ata që e udhëhoqën këtë Degë për më tepër se një dekadë! Inatet, në shumë Degë të LDK-së, janë sinjalizuesi më i keq për mundësinë e katandisjes në hendekun pa rrugëdalje të partisë së parë politike shqiptare masive, që kishte synim e vizion avancimin e të drejtave të popullit shqiptar si shumicë absolute në Kosovë!

Në aspektin më të gjerë, do të shtonim se në pretendimet e tyre politike, të “rugovizmit” udhëheqës të Degëve të shumta të LDK-së, qofshin edhe ata që janë ish-themelues, e të tjerë që në LDK hynë më vonë, sikur po e falsifikojnë pak historinë e LDK-së. Kjo duket e qartë në organizimet jubilare, përvjetorët e themelimit, por edhe me rastin e ndarjes së Mirënjohjeve. Ato pothuaj pak u janë ndarë atyre që në fakt kontribuuan në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij projekti madhor. LDK-ja kishte identitet, LDK-ja e ka për borxh të kthehet thellë në identitetin e saj, duke pasur një kujdes të veçantë në artikulimin e programit të saj burimor dhe me ripërtëritje të gjeneratave, apo të përgatitjes për ta marrë misionin gjeneratat që vijnë. LDK-së i duhen reformat shumë të propaganduara.

Në ndërkohë, konsiderojmë se Ditëlindjet e Degëve të LDK-së, datat e themelimit, ndryshohen pa ndonjë arsye bindëse, ditëlindja, nuk do të duhej të ndërrohej. Kjo as nuk është serioze!

LDK në Malishevë, është themeluar më 24 janar 1990, ndërsa për disa vite me radhë, përvjetori shënohet në data të tjera, me muaj vonesë!

Shtatë anëtarët e Këshillit nismëtar të themelimit të Degës së LDK-së:

Cen Desku, Isni Kilaj, Bejtullah Kryeziu, Hasime Mazreku, Jusuf Bytyçi, Besnik Krasniqi, Bajram Berisha. Isni Kilaj, qe zgjedhur kryetar. Pas Kuvendit të parë, kryesia ështe zgjeruar edhe me profesorët, Sokol Kryeziun(tash i ndjerë), Qerim Kastratin, juristin Isni Kryeziu dhe orientalistin Fetah Bekolli.

Do kujtuar se nga shtatë themeluesit e Degës së LDK-së në Malishevë, në kryesitë e fundit s’ishte asnjëri. Dy nga emrat, I. Kilaj dhe znj. Mazreku-Krasniqi, që nga pas lufta i janë bashkuar PDK-së, kanë pasur dhe falë PDK-së ende mbajnë pozita goxha të larta në institucione të ndryshme. B. Kryeziu, dy dekada që ka migruar jashtë shtetit, B. Krasniqi jeton dhe punon në Prizren, B. Berisha në një Bankë biznesi në Malishevë, derisa C. Desku tashmë është pensionuar.