28 vjetori i degës së LDK-së në Malishevë/ Dikur me nam, sot në pozitë të palakmueshme!

24.01.2018 15:26:53

Dikur me nam, por sot, në pozitë të palakmueshme! Pavarësisht nga telashet me “patriotët” e dalë nga lufta, LDK-ja në Malishevë ishte edhe fituese e zgjedhjeve të para demokratike të pas luftës, për pushtetin lokal më 2000! E tash, LDK-ja, përfaqësohet me vetëm 5 këshilltarë (kishte gjashtë, por njëri e tradhëtoi grupin e LDK-së, fill pas betimit si i zgjedhur i LDK-së)!

Jusuf Bytyçi

Malishevë, 24 janar

Dega e LDK-së në Malishevë, u themelua pikërisht më 24 janar të vitit 1990. Kjo ishte një nga degët e para të LDK-së që u formuan pas themelimit të LDK-së në Prishtinë, në selinë e Shoqatës së Shkrimarëve të Kosovës, kur kryetar ishte zgjedhur dr. Ibrahim Rugova, atëherë edhe kryetar i SHSHK-së. Në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, njëherësh edhe seli e LDK-së, u shtua edhe një Degë e LDK-së. Shtatë anëtarët e nënshkruar disa ditë më parë, Cen Desku, Isni Kilaj, Bejtullah Kryeziu, Hasime Mazreku, Jusuf Bytyçi, Besnik Krasniqi dhe Bajram Berisha, prezantuan në regjistrin-arkivin e LDK-së Këshillin nismëtar të themelimit të Degës së LDK-së në Malishevë. Po atë ditë në Prishtinë, pati protesta gjithë popullore, pati edhe dhunë policore serbe ndaj protestuesve shqiptarë. Në mesin e shumë aktivistëve, policia arriti të arrestojë edhe aktivistin Cen Deskun, e Këshillit nismëtar të Degës së LDK-së në Malishevë. Udhëheqja e LDK-së, ishte “ajka” e kombit, ishin shtresa më e ngritur intelektuale, profilesh të ndryshme, kuadro të dëshmuara akademike në fushat e ndryshme të dijes, të shkencës, të arsimit, shëndetësisë, kulturës, artit etj. Kryetari Dr. Ibrahim Rugova, i vlerësuar lart edhe nga ish-diplomatë të lartë perëndimorë, nuk fshihte vizionin e qartë për avancimin e pozitës së popullit të Kosovës. Që në konferencat e para me gazetarë vendës e të huaj, Rugova, shpaloste orientimet e qarta programore të LDK-së për të ardhmen e popullit të Kosovës, për Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Karshi angazhimeve të udhëheqjes qendrore të LDK-së, punë organizative me qytetarë bënte edhe Dega e LDK-së në Malishevë, e cila pikërisht sot, 24 janar, do të duhej të shënonte 28-Vjetorin e themelimit. Pavarësisht nga planifikimet tjera, që ndërlidhen me angazhimet e strukturave të Kryesisë qendrore, Dega e LDK-së në Malishevë, sot do të duhej të mbante të paktën një mledhje modeste, për të kujtuar vitet e veprimtarisë goxha të rëndë politike, si dhe aktivitetet me interes kombëtar. Nuk janë pak 28 vjet, janë mjaft “jetë” politike dhe atdhetarie! Dr. Ibrahim Rugova, u shndërrua në një lider epokal, lideri i shekullit të ri të shqiptarëve LDK-ja, me kryetarin e zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova, ishte themeluar si alternativa e parë e rezistencës politike shqiptare kundër regjimit komunist jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Ndonëse veproi në rrethanat e kërcënimeve të vazhdueshme të regjimit serbo-sllav, LDK-ja fare shpejt u shndërrua në një uragan të fuqishëm që shembi mitet e sistemit komunist në Kosovë. Dr. Ibrahim Rugova, u shndërrua në një lider epokal, lideri i shekullit të ri të shqiptarëve. Ndonëse aktivitetin e nisi si lëvizje politike, lideri i LDK-së, nuk fshehte pretendimet demokratike e kombëtare. Dëshmi e rrugëtimit të qartë e me një vizion të qartë për të ardhme më të sigurt, ishte edhe gjithë homogjenizimi i popullit shqiptar. Vizioni i Dr. Rugovës sishte për orientimin e popullit të Kosovës drejt perspektivës kombëtare. Kryetari Ibrahim Rugova, dëshmoi lidership të pa kontestueshëm. Ai arriti që çështjen e Kosovës ta shndërroj në çështje të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Edhe përkundër të gjitha pengesave, Dr. Ibrahim Rugova, si lider i shqiptarëve të Kosovës, arriti që ta sensibilizojë çështjen e Kosovës dhe të ndërtonte një rend demokratik, jo vetëm brenda LDK-së. Ai, shumë shpejt afroi rreth vetes edhe të gjitha subjektet e sapo formuara politike shqiptare në Kosovë e jashtë saj, në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë-Kosova lindore, duke e formuar bashkërisht me liderët e atyre subjekteve edhe Këshillin Koordinues të Partive politike shqiptare, si mundësi e prezantimit të kërkesave gjithë-shqiptare në ish-Jugosllavi. Ibrahim Rugova, si kryetar i zgjedhur, ndërtoi një filozofi politike aktive dhe paqësore, krijoi një filozofi politike demokratike, kombëtare dhe moderne, të bazuar në vlera humane, qytetare e kombëtare, të pranueshme dhe të arsyeshme për faktorin ndërkombëtar. Filozofia e tij politike, brenda vetes kishte edhe traditën kombëtare “mbrojtjen e pragut të shtëpisë”, që do të thotë, e kishte menduar edhe luftën. Dr. Ibrahim Rugova, në rrugëtimin e tij politik, kombëtar dhe me pretendime për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, e kishte edhe mbështetjen e fuqishme të miqve ndërkombëtar, SHBA-ve, presidentit Bill Klinton etj. Vizioni i Dr. I. Rugovës, nuk do të plaket, qe shprehur më parë edhe një nga ish-bashkëpunëtorët e presidentit historik, ish-presidenti Fatmir Sejdiu. “Presidenti Rugova mbetet guri themeltar në projektimin dhe zhvillimin e idesë për Liri, Pavarësi dhe Demokraci të Kosovës”, qe shprehur ish-presidenti Sejdiu, duke vlerësuar se “roli dhe lidershipi i Presidentit Rugova dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, është i pazëvendësueshëm dhe me domethënie të madhe historike për Kosovën dhe shqiptarët”. Lideri ynë historik, Rugova, 28 vjet më parë qe shprehur edhe për integrimin e Kosovës në strukturat Euro-atlantike dhe për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova, u çlirua në qershor të vitit 1999, e u pavarësua me njohje ndërkombëtare më 17 shkurt 2008. E tash që kaluan 28 vite, nga themelimi i LDK-së, të veprimit politik, kombëtar dhe atdhetar, në Kosovën e lirë dhe të pavarur e të njohur ndërkombëtarisht, flitet shumë për filozofinë politike rugoviane. Por fatkeqësisht, në brendinë e LDK-së në qendër e në shumë Degë, ka pothuaj pak “rugovizëm” si filozofi politike. Rugovizmi është koncept politik, është teori dhe praktikë politike. Dihet qartë se personaliteti i Dr. Ibrahim Rugovës, ishte shumëdimensional. Ai ishte figurë unifikuese. E, ata që pretendojnë vazhdimin e filozofisë politike rugoviane, që duan ta manifestojnë atë, duhet lënë mënjanë inatet e ndarjet, të cilat aty-këtu në Degë të LDK-së, fatkeqësisht kanë lëshuar rrënje goxha thellë! Dikur me nam, por sot, në pozitë të palakmueshme! Pavarësisht se ka vite që nuk jam pjesë e strukturave të LDK-së, si njëri nga shtatë veprimtarët e parë të Këshillit Nismëtar të Degës së LDK-së në Malishevë, shpreh shqetësimin tim, për katandisjen e kësaj Dege. Ndarjet, “tradhëtitë” nga parimet e shëndosha, duket qartë se e kanë lënduar dhe katandisur thellë LDK-në në Malishevë. Kam frikë se këto ndarje, shpiejnë në hendekun pa rrugëdalje! E përgjegjësisë s’mund t’i ikën asnjëri nga anëtarët e Kryesisë së Degës, madje as ata nga strukturat e Nëndegëve. Të gjithë duhet ta mësojnë të vërtetën se Dega e LDK-së në Malishevë, ishte ndër Degët më aktive, më të “gjalla dhe më të suksesshme në Kosovë. Dikur LDK-ja ishe me nam, por sot ka rënë në pozitë të palakmueshme! Pavarësisht nga telashet me “patriotët” e dalë nga lufta, LDK-ja në Malishevë ishte edhe fituese e zgjedhjeve të para demokratike të pas luftës, për pushtetin lokal, më 2000! E tash, LDK-ja, përfaqësohet me vetëm 5 këshilltarë (kishte gjashtë, por njëri e tradhëtoi grupin e LDK-së, fill pas betimit si i zgjedhur i LDK-së)! Me këtë rast, po përmend edhe teposhtëzen e Degëve tjera të LDK-së, si në Rahovec, pas luftës kishin pushtetin me 20 këshilltarë nga 31, pastaj Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Kastrioti, Kamenica…?! Sivjet e humbën pushtetin edhe Degët e LDK-së në Suharekë e Ferizaj, dhe per pak edhe Istogu. Për Drenas, Skenderaj e Shtime nuk po flasim! Konsideroj se në pretendimet e tyre politike, të “rugovizmit” udhëheqës aktual të Degëve të shumta të LDK-së, nuk di pse po e falsifikojnë pak historinë e LDK-së. Pse vallë, ditëlindja, nuk shënohet saktë në ditën e themelimit, por me muaj vonesë? Kjo as nuk është serioze! LDK në Malishevë, është themeluar më 24 janar 1990! E defekti tjetër duket edhe me mirënjohet e ndara, në organizimet e përvjetorëve të themelimit! Banalizohet ndarja e mirënjohjeve, (si në rastin e mega-qeverise aktuale, me emërime të përditshme të zv.ministrave, këshilltarëve etj.,) edhe në rastet kur personat nuk kanë kontribut! Sa më parë që të pranohet faji, aq më shpejt do të tejkalohen problemet. LDK-ja kishte identitet, LDK-ja e ka për borxh të kthehet thellë në identitetin e saj, duke pasur një kujdes të veçantë në artikulimin e programit të saj burimor dhe me ripërtërirje të gjeneratave, apo të përgatitjes për ta marrë misionin gjeneratat që vijnë. Box Shtatë anëtarët e Këshillit nismëtar të themelimit të Degës së LDK-së: Cen Desku, Isni Kilaj, Bejtullah Kryeziu, Hasime Mazreku, Jusuf Bytyçi, Besnik Krasniqi, Bajram Berisha. Isni Kilaj, qe zgjedhur kryetar, ndërsa Cen Desku nënkryetar.