30 ditë paraburgim për të dyshuarit e vrasjes së 20 vjeçarit në Ferizaj

23.08.2016 14:38:58

Paraburgimi prej 30 ditësh i është caktuar të dyshuarit për vrasjen e një njëzetvjeçari në Ferizaj më 18 gusht.

Caktimin e kësaj mase të sigurisë e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Ferizaj Albënora Bekteshi.

“Të shtunën i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj,” tha Bekteshi.

Ajo bëri të ditur se masën e paraburgimit e kishte kërkuar prokuroria.

Vrasja e para pesë ditëve kishte ndodhur në Rrugën “Rexhep Bislimi” të Ferizajt, ndërsa policia e kishte gjetur viktimën pa shenja jete në hyrjen e një ndërtese të banimit kolektiv.

I dyshuari për vrasje, gjithashtu 20 vjeçar, ishte arrestuar një ditë më vonë, ndërsa policia nuk kishte dhënë motivet e këtij krimi.