30 vjetori i themelimit të Nëndegës së LDK-së për Niedersachsen (Saksoni e Ulët)

04.05.2020 23:37:13
Kushtrimi të cilin e kishte dhënë Presidenti ynë historik dr. Ibrahim Rugova në organizimin e rezistencës aktive paqësore përmes organizimit në kuadër të Lidhjes demokratike të Kosovës iu përgjigjën me të madhe edhe shqiptarët që jetonin dhe vepronin në Landin e Saksonisë së Ulët. Kështu më 4 maj të vitit 1990 në Hanover në prani të Sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, z. Bujar Bukoshi dhe z. Naim Maloku, përfaqësues i Alternativës, si dhe aktivist nga Hamburgu e Bremeni, u formua Nëndega e Saksonisë së Ulët dhe u zgjodh Kryesia me Kryetar Hazir Krasniqin, veprimtarin e palodhshëm të çështjes kombëtare nga familja e atdhetarit Aziz Zhilivoda.
Përkundër vështirësive që paraqiteshin në atë kohë, për shkak të veprimit të Grupeve të ndryshme marksiste-leniniste, në kuadër të LPK-së, populli masovikisht iu përgjegj thirrjes së Presidentit Rugova – i cili pak muaj më parë me një grup intelektualësh kishte formuar Lidhjen Demokratike të Kosovës – duke u organizuar në kuadër të kësaj Nëndege në fillim në 18 e pastaj der në 35 Aktive të LDK-së, me një numër të madh të anëtarëve. E gjithë kjo masë e veprimtarëve të LDK-së, gjatë tërë kohës kontribuan me aktivitetet e tyre përmes aksioneve të ndryshme dhe me këtë e bënë të mundshme, që të funksionoj shteti paralel në Kosovë dhe të mbijetohet dhuna ekonomike, e cila ishte instaluar nga aparati represiv shtetëror serb për të thyer rezistencën e popullit shqiptar. Vlen të përmenden tubimi i mjeteve për Fondin e vetëmbrojtes, Fondin e Aachenit, Fondin Nëna Terezë, Ndihmë për arsimin në Kosovë, Fondi vetanak për bartjen e kufomave në Kosovë, Ndihmë për Drenicën si dhe organizimi dhe përcjellja e ushtarëve në UÇK. Nga të gjitha këto aksione duhet të veçohet shuma e mbledhur prej 2.456.180 Marka në kuadër të kësaj Nëndege për Pavarësinë e Kosovës. Poashtu është punuar shumë për përfshirjen e fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe në bashkëpunim me palën gjermane kemi arritur që të organizohet mësim në 57 shkolla. Me qëllim që mërgatës sa më shumë t´ua ofrojmë Kosovën kemi organizuar manifestime shumëta kulturore duke bërë shënimin e festave kombëtare dhe shtetërore si 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 2 Korrikun – ditën e Deklaratës kushtetuese, 7 shtatorin – Ditën e Kushtetutës së Kaqanikut, 17 shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, etj.
Pas çlirimit të Kosovës kemi përkujtuar figurat e rëndësishme të popullit tonë si Presidentin historik dr. Ibrahim Rugova, strategun e Pavarësisë së Kosovës – Akademik Fehmi Agani, Ministrin e mbrotjes së republikës së Kosovës – Kolonel Ahmet Krasniqi, Komandantin e betejës së lavdishme të Loxhës – Kolonel Tahir Zemaj, Nënkryetarin e Degës së LDK-së në Gjermani, ideologun dhe komandantin e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, betejës së lavdishme të Koshares – Veteranin Sali Çekaj, etj.
Rëndësi e veçantë i është kushtuar internacionalizimit të Çështjes së Kosovës. Në këtë drejtim janë mbajtur takime të shumëta me palën gjermane në nivele të ndryshme shtetërore dhe partiake. Poashtu janë organizuar ekspozita të ndryshme sikurse ishte „Ekspozita e tmerrit“ – për krimet e shtetit serb në Kosovë, manifestimet e përbashkëta me organizatën Amnesty International dhe Shoqatën për mbrojtjen e popujve të shtypur me seli në Götingen. Në Hanover dhe në shumë qytete të Saksonisë së Ulët është protestuar kundër dhunës sistematike të ndaj popullatës së pambrojtur në Kosovë nga ana e makinerisë ushtarake e policore serbe. Të paharrueshme janë tubimet e protestës në Bon, në Luksemburg, Bruksel, Den Hag dhe në Zvicër, në të cilat në mënyrë të organizuar me autobusa kemi pasur një pjesëmarrje masovike nga të gjitha aktivet e atëhershme të LDK-së.
Të gjitha këto rezultate i kemi arrijtur me ndihmën e veprimtarëve tonë të devotshëm, të cilët kisha shfrytëzuar rastin qënë këtë vit jubilar të organizmit tonë – 30 vjetorin e themelimit të Nëndegës Saksoni e Ulët – t´i përgëzoj dhe falënderoj, sepse pa angazhimin vetëmohues dhe të parreshtur të tyre, nuk do të kishim arritur qëllimin tonë kryesor – Kosovën e lirë e të pavarur. Tërë këtë organizim e kanë udhëhequr këta Kryetarët të Nëndegës: Hazir Krasniqi, Lumturije Hoti, Isa Podrima, Ismet Krasniqi, Zymer Lulaj, Zymer Bardhecaj dhe Isa Shabani.
Ka qenë e paraparë që ky jubile i rëndësisë së veçantë të shënohet me 3 maj në Hameln, por për shkaqe të pandemisë jemi detyruar që manifestimin të e shtyjmë për një afat të pacaktuar.
Kryesia e Nëndegës së LDK-së Saksoni e Ulët
Kryetari
Isa Shabani