35 milionë euro, Manchester City hidhet në sulm për Donnarumman

16.05.2017 13:28:27

Gianluigi Donnarumma është një objektiv i Manchester City. Klubi anglez, me trajner Pep Guardiolën, e ka hedhur në tavolinë tashmë një ofertë fillestare prej 35 milionë eurosh.

Milani, skuadra ku luan portieri i ri italian, ndërkohë, vazhdon përpjekjet për të kapur vendin e gjashtë në Seria A, që “përkthehet” ndryshe eliminatoret e “Europa League”. Nga ana tjetër, mbetet të shihet strategjia dhe përmasat e investimit të pronarëve të rinj te klubi kuqezi, që për 30 vite ishte në duart e presidentit Silvio Berlusconi, teksa nuk kanë munguar ofertat e para për Gianluigi Donnarumma, xhevahirin më të çmuar në shtëpinë e kuqezinjve.

Sipas raporteve nga “Daily Mail”, Manchester City ka hedhur hapat e parë drejt portierit fenomen italian: një ofertë prej 30 milionë paundësh, ekuivalente me rreth 35 milionë euro, është shuma gati t’i dorëzohet në duar Fassones dhe Mirabelli. Shifrat patjetër që mund të rishikohen, duke marrë parasysh vlerën reale të lojtarit dhe ofertat që kanë qarkulluar deri më sot për të. Në moshën 18-vjeçare, Donnarumma tashmë është ndër portierët më të fortë në Europë, ndaj Milani mund të privohej nga shërbimet e tij vetëm për një shumë të madhe. Portieri i kuqezinjve është, megjithatë, jashtë kontrate në vitin 2018 dhe “Djalli” është duke punuar për rinovimin.
Manchester City, gjithsesi, është gati për ta rrëmbyer dhe ofruar vendin e titullarit para Bravos, i cili nuk ka bindur plotësisht këtë sezon. Edhe Pep Guardiola ka shprehur vlerësimin e vet për Donnarumma, të cilin, gjithashtu, e do në Manchester (te United) Jose Mourinho, nëse De Gea vendos të shkojë në Madrid. “Është një portier i nivelit të lartë, absolutisht, ka cilësi të mëdha për vetëm 18 vjeç”, – ka nënvizuar tekniku spanjoll i “qytetarëve”. Topi tani është në Milano, ku çështja “Donnarumma” mund të kthehet në një ankand të vërtetë.