38 vjet ma vonë/ Shpalosje kujtimesh të 11 Marsit të vitit 1981

11.03.2019 13:35:02

Nga Izet ABDYLI

Mbase ishte një nga ditët e zakonshme te vitit. Ende ftohtësia e acarit te dimrit ishte e pranishme. Me cimerat e mi në konviktin nr. 4 po pinim qaj mali dhe po dëgjonim këngë patriotike nga kasetofoni qe e kisha sjellë nga shtëpia. Po bisedonim për çështje te zakonshme te aktualitetit, gjendjen e rende ne Kosove si pasoje e papunësisë, ngritjen e çmimeve, problemet sociale, kushtet e studenteve etj. Ishin pra një nga bisedat e zakonshme qe bënim pothuaj çdo natë. Kishte rastisur qe atë natë kishim mysafir dhëndrin tim Jonuzin i cili diku afër orës 20 kërkoi leje ngase do udhëtonte për shtëpi dhe kishte autobusin e fundit. Si e do trendi dola ta përcjellë deri te mensa e studentëve. Sapo dolëm u dëgjua një zhurme jo e zakonshme, lëvizje te studenteve ne grupe dhe papritur takoi Ismail Sylen (shok i gjeneratës së gjimnazit) i cili me thotë: Izet u kall dhe menjëherë kuptova nëntekstin e kësaj fjale se kishte shpërthyer demonstrata e cila te thuash ishte e pritur, ngase kishte kohe qe nder studente vlonin pakënaqësitë dhe pritej vetëm momenti kur te shpërthenin me ndonjë revoltë. Me të shpejt përshëndetemi me mikun duke sugjeruar të këtë kujdes gjate rrugës dhe kthehem ne konvikt për t’i njoftuar cimerat qe te dalin se diçka po vlonte ne oborrin e konvikteve. Nisem drejt barakës 3 ku takoi shokun tim te gjeneratës nga shkolla fillore Rame Prenkun, dhe aty mësojmë se ne mensë ka shpërthyer revolta e studenteve te cilët kane mësyer drejt qytetit me kërkesat për kushte me te mira per student. Turma sa vjen e rritet dhe kërkesat përveç kushteve rriten edhe ne kërkesa politike per status politik te Kosovës, për grabitjen qe i bëhen ekonomisë se Kosovës, për shqiptaret qe mbahen ne burgje. Pasi qe turma veç fillon te rritet del kërkesa nga organizatoret qe te nisemi drejt qytetit(kishte kaluar diku ora 21), por nen mensën e studenteve na pret kordoni i policeve te cilët kane bllokuar rrugën. Një ndjenje e papërshkrueshme është ne ato momente kur shef tere ate turme e gatshme për tu sakrifikua pavarësisht masave represive qe i kërcënojnë. Vijnë një sere politikanesh për kinse ta qetësuar turmën dhe për te biseduar, madje edhe me taktizime per tu tërhequr ne brendi te Qendrës por vendosmëria e studentëve është te marshojnë drejt qytetit. Ne trafon e vogël qe gjendej nen mense shquhet nje djalosh me mjekër (Ali Lajçi) ishte siç mësuam më vonë) i cili i drejtohet turmës me nje fjalim atdhedashurie dhe turma ndezët edhe me shume. Fillojnë brohoritjet: Duam kushte,Lironi shokët, Trepça punon Beogradi ndërton, duam liri, etj. Te kota janë përpjekjet e disa politikaneve per te iu drejtuar turmës ata refuzohen kategorikisht. Kalon dhe mesnata dhe studentet janë te vendosur per te marshuar drejt qytetit. Diku rreth ores 3.00 te mëngjesit behet përpjekje për shpërthim te kordonit te policisë, por aty pason gjuajtja me gaz lotsjellës nga ana e policisë dhe u detyruam të tërhiqemi lart drejt palestrës se sporteve. Ishte përvoja e parë me gazin lotsjellës e ndonjëri ,,hëngri” edhe ndonjë shkop gome e kishte edhe të lënduar. Të stërlodhur pas një qëndrimi disa orësh në rrugë diku rreth orës 4.00 te mëngjesit u kthyem në konvikte. Të nesërmen shkuam si zakonisht në ligjërata ku mungonin shumë studentë ndërsa ata që i njoftonim për ndodhinë e mbrëmjes së kaluar shprehnin habi ngase asnjë informatë nuk ishte dhënë në media, madje as shtypi ditor nuk dha asnjë lajm. Sidoqoftë sinjali i parë i pakënaqësisë ishte dhënë dhe revolta e popullit do te shpërthej edhe me fuqishëm me 26 mars në Prishtinë dhe me 1 e 2 prill në të gjitha qytetet e Kosovës. Këto demonstrata ishin goditja e parë që i tundi themelet e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi dhe ngjarjet e mëpastajme që rrodhen dëshmuan se ato demonstrata ishin të drejta dhe në vitet 90-ta kulmuan me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
P.s. Autori ishte pjesëmarrës i këtyre demonstratave si student.