40 vrasje në 9 muaj/ Shqipëria mes ekzekutimeve mafioze dhe pjesëmarrjes në Eurojust

20.09.2020 10:51:49

Krimi në Shqipëri është sofistikuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ekspertët e kriminalistikës bëjnë të ditur se në 40 vrasjet e deritanishme të ndodhura përgjatë 9 muajve të vitit 2020, një pjesë e tyre janë me stil mafioz, ose nga vrasës të paguar. Çka sipas tyre nënkupton një mënyrë të re të vrasësve, por edhe të metodave që përdorin.

Ngjarja më e fundit në Durrës shënoi vrasjen me numër 40 të vitit 2020, pa llogaritur këtu ato atentate që nuk kanë pasur fund tragjik, si rasti i Ardian Çapjas në Elbasan, atentat nga i cili mbeti i plagosur. Edhe pse për këtë ngjarje, Policia ende nuk ka asnjë të dhënë për autorët.

Prej javësh Elbasani është kthyer në kryefjalë e të gjitha lajmeve të ditës. Krime të rënda që kanë lidhje mes tyre kanë rikthyer jo vetëm pasigurinë, por edhe një gjallërim të bandave, duke e kthyer këtë qytet të Shqipërisë së Mesme në kryeqendrën e krimit të organizuar. Në hartë pas Elbasanit janë Durrësi, Shkodra, Tirana e Vlora.

Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet zhvendosje e organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.

Por, ndërsa në Shqipëri krimi ka lulëzuar ndjeshëm dhe shumë pak nga vrasjet mafioze janë zbardhur deri në fund, në arenën ndërkombëtare vendi ynë e ka shënuar emrin. Pjesëmarrje në operacione, si ai i fundit “Los Blancos” tregon se më shumë se për meritë të policisë shqiptare, lidhet me partneritetin me Eurojust, i krijuar me një vendim të Këshillit Europian në vitin 2002. Eurojust është institucioni të cilit i është besuar forcimi i luftës kundër krimeve të rënda përmes bashkëpunimit më të ngushtë brenda Bashkimit Europian në fushën e zbatimit të ligjit.

Eurojust është një institucion që bashkërendon aktivitetin e prokurorive kombëtare të shteteve anëtare dhe përbëhet nga 27 përfaqësues kombëtarë: gjyqtarë, prokurorë, dhe oficerë policie, të dërguar nga shtetet anëtare. Ky institucion i përmbush detyrat e tij me ndihmën e një ose disa prej anëtarëve kombëtarë, ose duke vepruar në mënyrë kolegjiale.

Për më tepër, çdo shtet anëtar mund të emërojë një ose më shumë korrespondentë kombëtarë, të cilët po ashtu, mund të shërbejnë si pika kontakti për Rrjetin Europian gjyqësor.

Eurojust ka kompetencë që të hetojë dhe të procedojë në krimet e rënda, veçanërisht krimin e organizuar ose krimin ndërkufitar, në hapësirën territoriale të të gjitha vendeve që janë anëtare të këtij institucioni, mes të cilave nga viti 2018 edhe Shqipëria.

Eurojust kontribuon po ashtu, në hetimin e veprave penale edhe nëpërmjet analizave të kryera nga Europoli. Ka njëfarë mbivendosjeje në kompetencat e këtyre dy institucioneve në lidhje me krimet nëpërmjet kompjuterëve, mashtrimin dhe korrupsionin, pastrimin e produkteve të krimit, krimin ndaj mjedisit, si dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.

Misioni i Eurojust është që të mbështesë dhe të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin midis strukturave kombëtare, pjesë të hetimit dhe procedimit penal në lidhje me krimet e rënda që prekin dy ose më shumë shtete anëtare ose që kërkojnë procedimin e përbashkët në bazë të operacioneve të përbashkëta dhe informacioneve që japin strukturat e shteteve dhe Europolit.