400 rrënjë kanabis, armë dhe municione, dy në pranga

31.07.2016 12:05:39

Në kuadër të operacionit të koduar “Gjegjan”, policia e Pukës ka bërë të mundur arrestimin e dy personave. Gjatë këtij operacioni ja zbuluar dhe asgjësuar 400 rrënjë kanabis sativa, të mbjella në dy parcela në një zonë të pyllëzuar të fshatit Gjegja.

Policia ka njoftuar se në pranga kanë përfunduar shtetasit Qani Hamzaj, 39 vjeç, si dhe Arjan Nikolli, 30 vjeç, të dy banues në Tiranë. Atyre iu është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri automatike model 56, dy karikatorë me 51 fishekë, një motoçikletë e modifikuar pa targa e dokumente, si dhe një automjet tip fuoristradë e tipit “Land Rover” pa targa.

Sipas burimeve policore, akuza e “Kultivimit të bimëve narkotike” bie mbi të dy shtetasit e arrestuar, ndërsa Hamzaj akuzohet më tej për “Mbajtje pa leje të armëve e municioneve”, kurse Nikolli për “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”.