Messi takon Murtaza Ahmadi, djalin me fanellë plasmasi

13.12.2016 14:12:50

Disa kohë më parë, gjatë vitit, një histori u bë virale në rrjetet sociale dhe mediat e botës. Fjala është për një djalosh të ri, afgan, i quajtur Murtaza Ahmadi. Murtaza tërhoqi vëmendjen sepse kishte saju me qese plasmasi një uniformë të Argjentinës, me numrin “10” në të dhe emrin e Messit. Fotoja u bë aq popullore, sa i shkoi në vesh edhe vetë Leo Messit.

Përfundimisht, Murtaza Ahmadi u gjet në zonën rurale të Afganistanit. Me ndihmën e BBC dhe UNICEF, Murtaza Ahmadi mori një fanellë të Messit me Argjentinën, të nënshkruar nga vetë dora e yllit të Barcelonës. Leo Messi, më në fund është takuar me Murtaza Ahmadi. Mjerisht, djaloshi i ri u detyrua të largohej nga vendlindja e tij, pas kërcënimeve në maj.

Familja e tij u zhvendos në Pakistan, por këtë javë Murtaza Ahmadi ka shkuar në Katar për të takuar idhullin e tij. Barcelona është aktualisht në Katar dhe kjo e ka lejuar Leo Messin që, më në fund të përmbushë dëshirën e një prej tifozëve të tij më të mëdhenj në planet. Messi e ka marrë në duar djaloshin afgan, si fëmijët e tij, veprim që tregon sa njerëzor është ky yll i madh i futbollit.