5 Sirian gjinden duke kaluar kufirin Kosovë-Serbi

13.08.2016 09:19:01

Një familje pesë anëtarëshe nga Siria është kapur mbrëmë nga Policia e Kosovës, në përpjekje për të kaluar ilegalisht nga Kosova në Serbi, përmes kufirit të Bërnjakut, afër Zubin Potokut.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se kjo familje, ku përveç bashkëshortëve ishin edhe tre fëmijë, ndodhej në veturën Audi me targa RKS 01-747-BC, të cilën e ngiste A.P. (1990) nga Prishtina.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm.

“Tek kjo familje janë gjetur letra që dëshmojnë regjistrimin e tyre si refugjatë në shtetin e Greqisë dhe asgjë tjetër, ndërsa, tek vozitësi është gjetur shumë e konsiderueshme parashë, që dyshohet t’i ketë marrë nga kjo familje. Qëllimi i familjes ishte që ata të arrin në qytetin e Novi Pazarit të Serbisë, nga ku pastaj do të vazhdonin rrugën për në Evropë”, kanë thënë burimet.

Mësohet po ashtu se vozitësi është ndaluar nga policia dhe me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tij është iniciuar procedurë penale “kontrabandë me njerëz”.