50 hijet e Bukowski-t surrealist grek – Andreas Embirikos

11.12.2016 23:48:08

Në listën e 100 librave më të mirë të letërsisë botërore, ndër shkrimtarët e tjerë grekë (Aleksandros Papadiamantis, Nikos Kazantzakis, etj) rradhitet edhe shkrimtari surrealist Andreas Embirikos, pak i njohur për lexuesin shqiptar, por i shumëlexuar dhe shumë provokues për ta interpretuar. Ndoshta, asnjë vepër e letërsisë së re greke nuk ka ngacmuar kureshtjen e kaq njerëzve të letrave apo mendimin e thjeshtë të lexuesit modest. Romani i tij “Lindori i Madh” ka provokuar me mijëra pyetje e hamendësime dhe mund të konsiderohet si Magnum Opus i shkrimtarit surrealist – psikoanalist. Ai mund të krahasohet me “shkrimet e mëdha pornografike” të letërsisë botërore dhe europiane, dhe u botua pas vdekjes së shkrimtarit në një shoqëri që e konsideronte tashmë veten liberale për të mundur të përballonte faqet e tij provokuese dhe librin më të guximshëm të historisë së letërsisë greke.   Tetë vëllime, 100 kapituj, 2100 faqe të shkruara thuajse në dy dekada (1945-1970), vepra më voluminoze e shkruar deri më sot në Greqi, me një gjuhë të lirshme dhe që përmban përshkrime ekstremisht erotike të udhëtimit të virgjër të transoqeanikut “Lindori i Madh” nga New York-u, gjatë periudhës së lulëzimit të epokës viktoriane. Lindori i Madh, simboli erotik dhe surreal i shkrimtarit, me përmasa gjigante na kujton Great Eastern, anijen që lidhi Britaninë e Madhe me Ëndrrën Amerikane. Këtë udhëtim të Lindorit të Madh, Odiseas Elytis e konsideron në thelb një shkak “për të krijuar një njësi – lëvizëse, një ishull, ku përqëndrohen të gjitha variacionet dhe luhatjet e gjuhës trupore, ëndërrimi, masturbimi, ekzibicionizmi, lesbizmi, pedofilia, incesti, fetishizmi, sadizmi, mazokizmi, dhe çfarëdolloj gjëje tjetër që mendja e njeriut mund të synojë për të kënaqur instiktin erotik”. Vetë Embirikos ishte shumë i kujdesshëm në deklaratat e tij për këtë vepër, dhe shumë i rezervuar për ta botuar atë, duke u mjaftuar vetëm me lexime të pjesshme të kapitujve të veprës në një rreth të ngushtë shoqëror, duke e ruajtur hermetike si vepër deri në fund të jetës. Ai vetë do të shprehet se: “Shumë tekste të mia nuk janë botuar, për shkak të gjuhës së përdorur. Lindori i Madh ka si temë kryesore udhëtimet e virgjëra nga Anglia në Amerikë dhe ky Lindor përbën një personazh simbolik të veprës”. Protagonistë të romanit janë pasagjerët e transoqeanikut, kryesisht anglosaksonë, britanikë dhe amerikanë, por edhe të origjinave të tjera, që shijojnë pa kufij dhe në të gjitha format e saj dashurinë – erosin. U përkasin të gjitha shtresave të shoqërisë, ku mes tyre spikat karakteri i poetit grek, Andrea Sperhi, një ngjashmëri që përkon edhe me emrin e vetë shkrimtarit. Ai shprehet: “Gjërat që Andrea dashuronte me krenari, ndër të tjera, ishin kënaqësia e erosit, poezia dhe udhëtimet e mëdha – por edhe ato që të lejonin të ndjeje muzikën…atë mënyrë që konstatonte dhe kategorizonte të ashtuquajturën ngjyrë, por që lejonin edhe projektimin dhe pjesëmarrjen e çdo Tjetri, e çdo Uni, e çdo Individi në kuptimin personal të konceptit universal të ritmit të plotë të Botës…”

Është një vepër e cila ka pranuar entuziazmin më ekstrem të lexuesit, por edhe kritikën më të dhunshme, duke u bërë epiqendra e skandalit surrealist në Greqi. Botimi i saj u shoqërua me reagime të shumta, për shkak të përmbajtjes së guximshme erotikr, sa edhe botuesi i revistës ku botoheshin pjesë të saj u dënua nga Gjykata me tre muaj burgim për shkelje të ligjit “Mbi gjërat e turpshme”. Pas botimit të veprës, kritika e kohës nuk merrte shkas më shumë nga “imoraliteti” i saj, se sa nga rrëfimi orgazmik i stërzgjatur dhe përsëritja e skenave të shumta erotike, që kritika i konsideronte si elementë negativë. Por, nga ana tjetër, kritika pozitive e shihte në një këndvështrim tjetër, si një roman edukimi seksual dhe terapie emocionale. Formimi psikoanalist i shkrimtarit do ta lejonte atë të krijonte një vepër me lëndë të parë vetë psikoanalizën e endërrimtarëve dhe profetëve.  Mjaft studiues e kanë lidhur Lindorin e Madh me vizionin e një utopie erotike dhe politike të Embirikos (po të marrim parasysh epokën kur u shkrua vepra, epoka drejt Botës së Re), duke e konsideruar atë si një sprovë reflektive përkundrejt vizionit mesianik të së ardhmes së njerëzimit. Vlerë më të madhe në roman ka fakti se tema e romanin nuk është jeta e një grupi njerëzish në Botën e Re, por udhëtimi i tyre erotik shumëdimensional drejt destinacionit të fundit, duke na dhënë një imazh modeli antropocentrik dhe çlirues humanist.  Të gjithë pasagjerët, poeti Andrea, të ndikuar nga një erotizëm primitiv që josh edhe vetë transoqeanikun, jetojnë në dhjetë ditë (njerëzve të thjeshtë u duhet një jetë e tërë dhe vështirë ta arrijnë), lirinë dhe kënaqësinë absolute për të prekur formën më sublime të pafajësisë dhe të lumturisë. Leximi, pranimi dhe intepretimi i Lindorit të Madh mbetet ende në ditët e sotme një sfidë për lexuesin…