50 të lënduar në “Beer Fest”, s’dihet kush gjuajti me armë

30.07.2016 12:07:32

Pesëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente si pasojë e lëndimeve të marra nga paniku që ndodhi në “Beer Fest”. Ndërkohë, policia ende nuk ka arrestuar personin që ka gjuajtur me pistoletë, i cili ishte edhe shkaktar i gjithë asaj që ndodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Situata u krijua pasi një person në turmën e njerëzve ka gjuajtur me armë, ku pastaj është shkaktuar panik te të pranishmit, të cilët në tentim për t’u larguar kanë lënduar njëri-tjetrin.

Numri më i madh i të lënduarve ishte i gjinisë femërore. Të gjithë të lënduarit pas trajtimit mjekësor janë dërguar në shtëpi, pasi gjendja shëndetësore e tyre ka qenë e mirë. Me lëndime të rënda ka qenë vetëm njëri i cili gjatë ikjes kishte rënë në një xham, por pas trajtimit edhe ai është lëshuar për trajtim mjekësor në shtëpi.

Specialistja e mjekësisë emergjente, Dafina Basholli, ka treguar se numri i madh i pacientëve kanë qenë me shenja kontunzive dhe luksacione të ndryshme, të cilat për shkak të turmës dhe ikjes janë shkelur.

Gjatë orët e vona të mbrëmjes së djeshme u raportua që shumë të rinjë ishin pjesë e “Beer Fest”.

Por edhe në Klinikën Emergjente, Doktoresha Basholli ka treguar se ata të cilët janë lënduar mbrëmë kanë qenë moshat e reja.

Nga gjuajtja me armë zjarri nuk është lënduar as një person.

Rasti ndodhi në sy të shumë njerëzve, e as deri në orët e tanishme, Policia e Kosovës nuk ka ndonjë informacion nëse është arrestuar personi që ka gjuajtur me armë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se lidhur me rastin janë intervistuar disa persona, dhe se hetimet janë duke vazhduar.