550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut – kreu i PD pret një delegacion të arbëreshëve të Pulias

18.01.2018 10:52:58

Lulzim Basha: PD po bën gjithçka për të realizuar ëndrrën e hershme të Shqipërisë Europiane

Në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti një delegacion të arbëreshëve të  Chieutit, provincë e Puglias, me të cilët ndau bindjen se Skënderbeu simbolizon identitetin europian të Shqiptarëve.

Basha tha se Partia Demokratike po bën gjithçka për të realizuar ëndrrën e hershme të Shqipërisë Europiane. Kryetari Basha garantoi delegacionin se Partia Demokratike do t’i gjendet pranë motrave dhe vëllezërve arbëreshë, sot në opozitë dhe nesër me përgjegjësitë e qeverisjes, për të mbajtur gjallë vlerat e këtij komuniteti, ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve.

“Në këtë ditë të shënuar të historisë sonë kombëtare kam nderin dhe kënaqësinë e jashtëzakonshme, emocionet e papërshkrueshme që sot të mirëprisja në selinë e Partisë Demokratike një delegacion të arbëreshëve të Chieutit, të kryesuar nga kryetari i Komunës së Chieutit, Diego Iacono, dhe po kështu një numër profesorësh, personalitetesh të shquara të Komunitetit Arbëresh të kësaj Komune që ndodhet në Provincën e Pulias. Me këtë rast dua t’i uroj të gjithë arbëreshëve në Itali, urimin e çdo bashkëkombasi në këtë vit të shënuar, përvjetor të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, që të kujtojmë dhe të nderojmë vlerat e përbashkëta shqiptare, që janë vlerat europiane, të lirisë, të demokracisë, të dinjitetit individual  dhe  së bashku të punojmë që ëndrrën e Gjergj Kastriotit, ëndrrën e rilindësve kombëtarë, që është edhe testamenti politik i Partisë Demokratike, Shqipërinë europiane, Shqipërinë e vlerave europiane, ta bëjmë realitet një orë e më parë. Në emër të Partisë Demokratike i garantova vëllezërit dhe motrat arbëreshe për vëmendjen dhe punën tonë si opozitë sot, dhe nesër me përgjegjësinë e qeverisjes për t’iu gjendur sa më pranë komunitetit arbëresh, ndihmën për të mbajtur gjallë dhe për të çuar përpara vlerat e këtij komuniteti, ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve, të cilat përbëjnë një krenari për ta dhe përbëjnë  një krenari dhe një provë të jashtëzakonshme të vlerave të historisë sonë kombëtare për çdo shqiptari e çdo shqiptare. Së shpejti do t’i vizitoj, pasi mora dhe ftesën e tyre dhe shpresoj që ky vit jubilar të jetë një vit që të na afrojë edhe më shumë me njëri – tjetrin, na afron dhe më shumë me vlerat tona të përbashkëta, me vlerat europiane, që janë vlerat e Shqipërisë dhe vlerat e shqiptarëve”, tha Basha.

Kryetari i Komunës së Chieutit, Diego Iacono: Komuniteti arbëresh vijon të ruajë dhe mbrojë këtë pasuri si origjinë e identitetit dhe kulturës shqiptare/ Ndërkohë në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Chieuti-t, Diego Iacono, theksoi se komuniteti arbëreshë vijon të ruajë dhe të mbrojë këtë pasuri, si origjinë e identitetit dhe kulturës shqiptare. “Ne ndihemi të nderuar dhe të kënaqur që jemi sot këtu duke përfaqësuar komunitetin arbëresh në Itali. Komuniteti arbëresh përfaqëson  simbolikën e një pjese të Shqipërisë në një territor tjetër. Ne mbajmë të gjalla, traditën dhe kulturën shqiptare dhe i mbrojmë  ashtu si i kanë patur paraardhësit tanë në territorin italian. Këtë trashëgimi e përcjellim me dinjitet si një bagazh të vlerave dhe pasurive kulturore. Dhe ne e ruajmë, e mbrojmë  këtë pasuri, si origjinë e identitetit dhe kulturës shqiptare. Ky është një angazhim që ne e kryejmë çdo ditë për të mos humbur origjinën dhe origjinalitetin tonë në territorin italian”.

Ish-kryeministri Berisha me delegacionin e arbëreshëve të Pulias: Heroi ynë kombëtar Skënderbeu, vizionari i vokacionit perëndimor të kombit shqiptar/ Ish kryeministri ka pritur në takim delegacionin arbëresh të Pulias me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në një postim në facebook, Berisha shpreh mirënjohjen mirënjohjen dhe vlerësimin për përpjekjet që ky komunitet për përpjekjen e palodhur për të ruajtur vlerat gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptarë, të cilat përbejnë një krenari jo vetëm për ketë komunitet por dhe për kombin shqiptar. “Sot në ditën kur shënohet 550 vjetori vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili me qëndresën e tij legjendare, ka shënuar periudhën më të ndritur të historisë tonë, për të cilën të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, ndjehen krenar, dhe pjesë e kësaj krenarie kombëtare është padyshim edhe komuniteti arbëresh në Itali. Dhe sot pata kënaqësinë të prisja në një takim një grup arbëreshësh të komunës së Chieuti, të kryesuar nga kryetari i Komunës së Chieutit zoti Diego Iacono, zonjën Maria Chiara Castriota, përfaqësuese e familjes së Kastriotëve si dhe një numër profesorësh dhe personalitetesh arbëresh të kësaj komune që ndodhet në provincën e Puglias, të cilët vizitojnë Shqipërinë pikërisht në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Duke i shprehur atyre një mirëseardhje të përzemërt, shpreha gjithashtu mirënjohjen dhe vlerësimin për përpjekjet që ky komunitet ka bërë nder shekuj për të mbajtur gjallë dhe ruajtur vlerat e këtij komuniteti, për të ruajtur gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptarë, të cilat përbejnë një krenari jo vetëm për ketë komunitet por dhe për kombin shqiptar. Arbëreshët kane qenë faktor kryesor që kombi të zgjohej një komb me vokacion perëndimor. Tre janë shtyllat kryesore të identitetit tonë kombëtar: gjuha, kultura dhe heroi ynë kombëtar Skënderbeu, vizionari i vokacionit perëndimor të kombit shqiptar”, shkruan Berisha.