8317 biznese në pronësi ose në bashkëpronësi të grave

07.02.2017 18:07:21

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në lansimin e platformës “Fuqizimi Ekonomik i Gruas-Udhëzuesi për Biznese”, platformë kjo elektronike e zhvilluar për listimin e bizneseve kosovare që janë në pronësi ose në bashkëpronësi të grave, njofton kumtesa ministrore.

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami tha se lansimi i kësaj platforme do të jetë shumë i dobishëm për të gjitha gratë që janë në biznes. “Përmes kësaj platforme besoj që gratë afariste do të jenë shumë më të informuara për zhvillimet ekonomike dhe mundësitë për afarizëm, dhe besoj që sot posedimi i informatës në kohë është një nga resurset më të rëndësishme për afaristet,” theksoi ajo, dhe shtoi se platforma gjithashtu mundëson edhe rrjetëzim të bizneseve që është po ashtu mundësi shumë e mirë për këtë komunitet të rëndësishëm afaristesh.

Ajo nënvizoi se fuqizimi ekonomik i gruas është pjesë e agjendës ekonomike të kësaj Qeverie dhe se deri tani janë ndërmarrë një sërë veprimesh për përmirësimin e ambientit të biznesit në përgjithësi, gjë e cila ka ndikuar edhe tek gratë ndërmarrëse.

“Është rritur numri i grave ndërmarrëse dhe po besojmë që ky është rezultat i përmirësimit të politikave që ne i kemi ndërmarrë”, tha Bajrami.

Ajo theksoi se në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë deri më tani janë të regjistruara 8317 biznese të cilat janë në pronësi ose në bashkëpronësi të grave.