Rrezik për kthimin e vizave, Shqipëria forcon kontrollet në dalje të kufirit

04.08.2017 14:23:10
Duke vlerësuar se fenomeni i azilkërkimit të shtetasve shqiptare, në vende të Bashkimit Europian është bërë një shqetësim i madh që mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të tyre, me qëllim forcimin e kontrollit në dalje nga kufiri shtetëror, prej datës 1 gusht qarkullon një urdhër i firmosur nga kreu i policisë së Shtetit, Haki Çako.
Urdhri përmban 14 rekomandime, qe duhet të zbatohen nga të gjithë punonjësit e drejtorisë së kufirit që kanë në kompetencë për të kontrolluar daljet e shtetasve shqiptarë jashtë territorit tonë.

“Në dalje të kufirit shtetëror të forcohet kontrolli i shtetasve që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet Shengen /  BE-se duke kryer verifikime dhe intervistime të detajuara si: adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do shkojë; ftesa e pritësit në vendin  e destinacionit (të përmbajë kontaktet e pritësit); biletë rezervimi për kthimin si dhe mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit”, thuhet ne urdhër.

Kontrollet do të shtohen edhe ndaj agjencive turistike, me të cilat fare lehtë kushdo mund ti përdorë për qëllime azili.

Por që prej nisjes së zbatimit të këtij urdhri, mësohet se në aeroportin “Nënë Tereza” ka pasur pakënaqësi nga shtetasit shqiptarë që dalin jashtë kufirit, të cilët në disa raste i janë drektuar edhe Policisë së shtetit për të kryer denoncime.

Gjithsesi ky urdhër sensibilizimi për shqiptarët vjen në një moment kur Franca prej rreth një muaji ka ngritur shqetësimin e shtimit të numrit të shqiptarëve që kërkojnë  azil në këtë shtet. Pak ditë më parë për këtë çështje në Francë kanë qenë dy ministrat shqiptarë, ai i Jashtmi Ditmir Bushati si dhe ai i Brendshmi (që pritet të konfirmohet nga vetë Rama) të cilat janë takuar me ministrin e jashtëm francez, ku çështja e emigracionit dhe kërkesat për azil kane qenë në fokus të diskutimeve.