A do dështojë Shqipëria sërish për t’iu bashkuar BE-së?

19.04.2019 18:57:12

Më 11 prill, shumica e parlamentit të Mbretërisë së Holandës, me kërkesë të tre grupeve parlamentare: Partia Demokratike Kristiane, Partia Socialiste dhe Partia Liberale, votuan për propozimin e rivendosjes së vizave për shtetasit shqiptarë për shkak të kriminaliteti në rritje, si dhe rritjen e emigracionit të paligjshëm në Holandë.

Dje, më 17 prill, Parlamenti i Hollandës votoi në favor të rivendosjes së vizave për Shqipërinë duke vazhduar me kërkesën formale për miratimin e institucioneve të BE-së për zbatimin e një vendimi të tillë. Kjo erdhi si një goditje e madhe për qeverinë e Shqipërisë e cila me shumë gjasë do të përballet me një tjetër refuzim nga Brukseli të ftesës për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Përderisa nuk ka pasur përgjigje zyrtare nga qeveria shqiptare për këtë vendim, opozita dhe spektri politik shqiptar e kanë fajësuar nxitimthi Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për këtë veprim të rëndë të Parlamentit të Holandës.

“Ky është një dënim i ashpër për Shqipërinë!”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha. “Kjo vjen për shkak të Edi Ramës, qeverisë së tij të korruptuar që është përfshirë në tregtinë e drogës dhe Shqipëria nuk do të marrë ftesën për të hapur negociatat me BE. Shqiptarët po rrezikojnë të humbasin një nga arritjet e tyre më të mëdha, lëvizjen e lirë në Evropë, udhëtimin e lirë në zonën Shengen”, shtoi ai.

Në vitin 2010 qeveria e Mbretërisë së Holandës ishte një nga mbështetësit kryesorë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Rritja e krimit të organizuar shqiptar në Holandë dhe rritja e numrit të azilkërkuesve në vitin 2017 detyruan agjencitë e zbatimit të ligjit të Mbretërisë së Holandës të shtynin autoritetet e tyre vendimmarrëse për kthimin e vizave për shqiptarët.

“Kohët e fundit numri i kërkesave për azil nga shqiptarët në Holandë ka tejkaluar numrin e aplikantëve sirianë për t’u bërë grupi më i madh kombëtar”, tha një zëdhënës nga ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë. Të shqetësuar nga kjo prirje në rritje, Hollanda duket se ka marrë masa për të vendosur nën kontroll fluksin e azilkërkuesve dhe për të parandaluar përhapjen e krimit të organizuar shqiptar në vend.

Për më tepër, duket se disa vende të BE-së mund të jenë alarmuar nga një sondazh i fundit i Gallup, në të cilin Shqipëria renditet e katërta në mbarë botën në aspektin e dëshirës së njerëzve për të emigruar. Në Shqipëri, 60% e popullsisë së rritur dëshiron të largohet nga vendi i tyre.

Sondazhi i fundit i Gallup në mbarë botën i kryer midis 2015 dhe 2017 e rendit Shqipërinë në vendin e katërt nga 152 vende, pas Sierra Leone dhe Liberisë të cilat ishin në mes të shpërthimit të Ebolas dhe gjithashtu pas Haitit.

Sondazhi i njëjtë i Gallup e vendos Shqipërinë në krye të indeksit të “ikjes së trurit” në Europë, një indeks që mat nivelin e të rinjve, të arsimuar, të cilët duan të largohen nga vendi pa plan kthimi. Studimi tregoi se në Shqipëri 32% e të arsimuarve në universitet duan të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre.

Monika Kryemadhi, kryetare e Partisë Socialiste për Integrim, u përgjigj se “Rinia, është dështimi më i madh i kësaj qeverie, që po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi i tyre duke zhdukur shpresën dhe ëndrrat e tyre”.

Franca e ka pasur në konsideratë prej shumë kohësh ndërmarrjen e një akti të njëjtë.

Nëse ndodh kështu, integrimi në BE i Shqipërisë do të rrezikohet më shumë se kurrë. Presidenti shqiptar, Ilir Meta, deklaroi se vendimi i Parlamentit të Holandës është një sinjal paralajmërues. Edhe qeveria dhe partia në pushtet në Shqipëri e kanë të qartë atë. Mbi të gjitha, populli shqiptar e di dhe ata janë të tmerruar nga vuajtja duke kërkuar viza.

Por problemet për kryeministrin shqiptar Edi Rama duket se vijnë jo vetëm nga çështjet e BE-së, por kryesisht nga problemet e brendshme në vend. Gjatë javëve të fundit mijëra njerëz janë mbledhur në protesta javore para Kryeministrisë dhe Parlamentit në Tiranë. Këto protesta kanë tërhequr mediat botërore për shkak të përdorimit të shpeshtë të gazit lotsjellës në sasi të mëdha nga ana e policisë së shtetit dhe nga vendimi i papritur i partive opozitare për djegien e mandateve të tyre parlamentare, një veprim i paprecedent në politikën shqiptare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama partia e të cilit aktualisht është vetëm në Parlament.

Shqipëria po përjeton një krizë politike dhe sociale. Nxënësit, intelektualët dhe simpatizantët e partive politike janë mbledhur për muaj të tërë në protesta. Zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të shënojnë një krizë më konfliktuale.

Lulzim Basha, kreu i opozitës, ka denoncuar dosjet hetimore 339 dhe 184 në të cilat ish-ministrat dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste thuhet se janë përfshirë në bashkëpunim me krimin e organizuar në manipulimin e zgjedhjeve të mëparshme. Opozita po intensifikon protestat e saj duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie që do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të drejta.

Për të shmangur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, shpresa e vetme e kryeministrit Rama duket se mbështetet në reformën e gjyqësorit. Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria ka kaluar një reformë në drejtësi shumë të rëndësishme.

Por përveç treguesve shkatërrues të emigracionit të lartë dhe numrit të madh të azilkërkuesve për një vend aspirues të tillë të BE si Shqipëria, një tjetër studim i kohëve të fundit, i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, tregon se 63% e shqiptarëve nuk besojnë në këtë reformë.

Shqiptarët duken skeptikë në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët duket se kanë lidhje të ngushta me zyrtarët e lartë të qeverisë ose nuk mund të justifikojnë ligjërisht pasurinë e tyre. Kjo e ka lënë Ramën në një zbrazëti politike.

Kryeministri shqiptar duket se e ka pranuar faktin se me gjasë, në qershorin e ardhshëm, Këshilli i Evropës nuk do ta ftojë Shqipërinë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, por duket se është më i shqetësuar në ruajtjen e pushtetit dhe të qeverisë së tij sesa për integrimin në BE.

Dhe Shqipëria mbetet ende në një udhëkryq, i njëjti në të cilin ka qenë për shumë vite, e kapur në grackën e dëshirës së një kombi të tërë për t’u bashkuar me BE dhe gravitetit të politikës së vjetër që vazhdon të mbajë këtë vend të vogël në Ballkanin Perëndimor larg nga portat e Brukselit.