A do përjashtohet vajza e Azem Hajdarit nga PD? Grida Duma qartëson situatën

25.02.2019 19:17:55

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, në një lidhje direkte nga selia e PD-së me emisionin Top Talk, iu përgjigj pyetjes mbi mundësinë e përjashtimit të Rudina Hajdarit, ashtu siç u veprua me Myslym Murrizin, i cili nuk pranoi të djegë mandatin e tij.

Rudina Hajdari është një nga të paktët deputetë të opozitës, që nuk e kanë dorëzuar mandatin e deputetit, si pjesë e një veprimi të përbashkët që ndërmorën forcat politike në minorancë. Në kohën kur opozita ndërmori aktin e “djegies” së mandateve, Hajdari nuk ndodhej në Shqipëri, por ndonëse është kthyer që të premten, ajo nuk ka qartësuar qëndrimin e saj. Megjithatë, nëpërmjet një reagimi të gjatë në llogarinë e saj në Facebook, Rudina Hajdari ka njoftuar se nuk është shprehur deri tani për shkak të problemeve shëndetësore dhe se shumë shpejt do të dalë me një qëndrim publik.

Duma u shpreh kështu për këtë çështje: “Nuk bëhet me mua ky diskutim. Marrja e vendimit për këdo është bërë në Kryesinë e PD-së, ku kolegët kanë marrë fjalën dhe kanë thënë mendimin e tyre individualisht. Unë besoj që ishte respektim statutor i statutit të ri (në rastin e Murrizit), ku është përfshirë edhe termi përjashtim. Nuk dua të shprehem personalisht për këtë vendim sepse është vendim nga forumet e partisë”.