A do regjistrohet PD për 13 tetorin? Befason Edi Paloka: Ky është kushti ynë

06.08.2019 11:01:11
Paloka ka deklaruar se për PD-në nuk është e rëndësishme data por standardet e zgjedhjeve. Ai nuk e pranoi që PD do regjistrohet për 13 tetorin.
Edi Paloka

Tiranë- Ish-deputeti dhe nënkryetari i PD-së Edi Paloka ka deklaruar se edhe pse njohin dekretin e presidentit Ilir Meta për 13 tetorin, Partia Demokratike nuk do regjistrohet për të qenë pjesë e tyre pa pasur një standard.

Ai thekson se për demokratët kusht i panegociueshëm është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.

“Për ne dekreti i presidentit është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga institucionet, pjesëmarrja apo jo e PD lidhet me rrethana të tjera. Për ne nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve, për ne të rëndësishme janë standardet. Pozicioni i PD nuk ka ndryshuar ne asgjë, dhe as i opozitës ne përgjithësi. Sot kërkesa për largimin e Edi Ramës nuk është me vetëm e PD dhe as vetëm e opozitës, janë mbi 85% e shqiptareve qe kërkojnë largimin e Ramës. Rama si kryeministër nuk mund te ulet ne tavoline me PD dhe me opozitën.”, u shpreh ai në “News 24”.

Ende vijon kriza politike në vend. Disa ditë më më parë kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi se shkarkimi i Metës do të shqyrtohej pas raportit të Venecias. Rama mohoi që qeveria e tij të kishte punuar paketën anti-shpifje, duke ia spostuar kështu përgjegjësinë vetë OSBE, si një mision që ka hartuar këtë paketë, që sot e kundërshton. Ndërsa për krizën politike ai theksoi se është gati për dialog me opozitën por jo për negociata. Nga ana tjetër Basha deklaroi se vendi duhet të futet në zgjedhjet e tetorit dhe të zhvillohen të tri palët e zgjedhjeve.