A do të formohen blloqe të treta opozitare? (Video)

14.09.2016 20:33:46

LR-PDSH, BESA, Uniteti dhe partitë e tjera jashtëparlamentare shqiptare theksojnë se janë të hapura për bashkëpunim për formimin e një blloku opozitar. Përfaqësuesit e tyre e pranojnë se nuk ka nismë konkrete që do të bashkojë ato, por janë të gatshëm për të filluar bisedime të reja.

Dukagjin Osmani nga LR-PDSH thotë se partia e tyre ka dëshmuar edhe më parë, por edhe tani se është e hapur për bashkëpunim opozitar.

“Gjithmonë hapur kemi thënë se ne jemi për koalicionim me partitë tjera opozitare. Kushtimisht dikush i quan më të vogla, dikush më të mëdha, dhe mendojmë se kjo është rruga më e mirë për të pas një garë më të mirë për zgjedhjet e ardhshme që paraprakisht janë të caktuara”, u shpreh Dukagjin Osmani, nënkryetar i LR-PDSH.

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi jep sinjale se partia e tyre mund të dal vet në zgjedhje dhe të fitojë koalicionin BDI – PDSH, që sipas tij është i ndihmuar nga OBRM-PDUKM.

“Na jemi të bindur si lëvizje BESA se vet mund ti fitojmë në zgjedhje. Pjesa tjetër është a ka mundësi që të grupohen partitë tjera opozitare shqiptare që të mundet ky çift antishqiptar të përzihet në këtë skenë. Në këtë frymë lëvizja BESA mbetet e interesuar që ta maksimalizoj votën shqiptare”, tha Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i BESA.

Sekretari i përgjithshëm i UNITETIT, Muhamet Ismaili tha se është optimist në formimin e bllokut të tretë.

“Në planin tjetër paralelisht po vazhdojnë komunikimet dhe bashkëpunimi me partitë tjera shqiptare jashtëparlamentare. Kuptohet në drejtim për tu unifikuar si votë, për ti dhënë fuqi bashkimit dhe për ta ndryshuar këtë gjendje”, shtoi Muhamet Ismaili, Sekretari i përgjithshëm i UNITETIT.

Nga ana tjetër, nismë për formimin e një blloku të tretë opozitar kanë paralajmëruar edhe partitë e bllokut maqedonase. Pavle Trajanov nga Lidhja Demokrate ka paralajmëruar se LD bashkë me FRODEM do të shkojnë bashkërisht në zgjedhje, por sipas tij, janë të hapur edhe për parti të tjera politike. Ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditur qëndrimet e OBRM-Popullore, Dinjitetit dhe partisë të Bashkuar për Maqedoninë të Lube Boshkovskit se si do të shkojnë në zgjedhje.