A do të jetë kusht Asociacioni me kompetenca ekzekutive për liberalizimin e vizave?

18.04.2018 18:52:46

Nga Rexhep Kastrati

Natalya Apostolova, shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë nuk ishte e sigurt se a do të ketë liberalizim të vizave për qytetetarët e Kosovës, duke e bërë të qartë se as pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, nuk është e sigurt liria e lëvizjes me vendet anëtare të BE-së.

Kushti tjetër, luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, duket se nuk do të jetë i vetmi që Kosova mund ta ketë për liberalizim të vizave. Me gjasë, dhe siç është duke shkuar dinamika e negociatave në Bruksel, takimet sekrete të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin, dhe trysnia e madhe për të bërë hapa konkret në hartimin dhe miratimin e Statutit të Asociacionit, lënë për të kuptuar se nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Nëse është i saktë informacioni që kanë dhënë mediet serbe, se Brukseli i ka dhënë afat Koosvës katër muaj për të përmbyllur procesin e hartimit dhe të miratimit të Statutit të Asocacionit, atëherë është e qartë se qytetarët e Kosovës do të ballafaqohen me pritje të tjera dhe me situata të tjera të ndërlikuara.

Kur bëhet fjalë për çështjen e Asociacionit, është e qartë se kjo çështje është dhuratë pashkësh e Hashim Thaçit për serbët e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së 19 prillit 2013, e kthyer në ligj, në fund të qershorit të po atij viti, e që imponoi Marrëveshjen e 25 gushtit 2015, çështja nuk është se a do të ketë, por a do të ketë kompetenca ekzekutive, apo nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, a do të bëhet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo pa u marr parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Serbia dhe Lista “Srpska” këmbëngulin që ky Asocacion të ketë kompetenca ekzekutive, kurse faktori politik shqiptar, edhe pse deklarohet se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe do të bëhet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë, filmi me Gjuriqin, takimet sekrete të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin, rritja e retorikës agresive në Kosovë, spektaklet e ndryshme politike dhe elemente të tjerë që mund të trazojnë situatën dhe të shkaktojnë krizë, sikur lënë për të dyshuar se tashmë ka ndonjë marrëveshje të fshehtë për krijimin e Asocacionit me kompetenca ekzekutive, dhe, siç ka ndodhur me çështjen e Demarkacionit, që Hashim Thaçi ka kërkuar që të jetë kusht për liberalizimin e vizave, të bëhet kusht edhe krijimi i Asocaicionit me kompetenca ekzekutive.

Në këtë kontekst, deklarata e Natalya Apostolovës se nuk është e sigurt se do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, duhet marr me shqetësim jo për kohën, s apër kushtin eventual që ky liberalizim vizash të lidhet me kompetenca ekzekutive për Asociacionin.

Ajo që duhet të përcillet me vëmendje është çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, përkatësisht se a do të vazhdojë të jetë kusht edhe më tej, apo do të zëvendësohet me kushtin për kompetenca ekzekutive për Asociacionin.

Është e qartë se lojërat politike me Demrakcionin kanë pasur për qëllim që të shmangin kushtin tjetër: luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por mbetet të shihet a ka pranuar Brukseli të këmbejë kushtin për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit me kushtin për kompetenca ekzekutive për Asociacionin.