A do të ketë liberalizim të vizave, apo po bëhet fjalë për një “karrotë” për “Republika Srpska” në Kosovë?

20.07.2018 12:29:56

Nga Rexhep Kastrati

Më në fund, Hashim Thaçi pat mundësi të recitonte një tekst poetik-emociaonal për liberalizimin e vizave, ashtu siç pat lexuar një tekst poetik-emocional edhe më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Kosovës.

I përmenda këto dy tekste për shumë arsye, ndër të cilat, përveç poetikes dhe emocionales, kanë të përbashkët edhe zellin e Hashim Thaçit për të vënë veten në ballë, për ta heroizuar dhe për ta bërë veten një protagonist kryesor, domethënien e këtyre dy teksteve dhe dy momenteve si pika të rëndësishme në avancimin e manipulimit dhe të fshehjes së përmasave dhe karakterit të vërtetë të tyre.

Teksti i lexuar më 17 shkurt 2008, ishte një tekst që bënte fjalë për pavarësinë e Kosovës, dhe si i tillë do të duhej të ledxohej o nga presidenti, o nga kryetari i Kuvendit, por që ishte vetëm paralajmërim i lëshimeve, i pazareve dhe i intrigave të rënda që do të bëhen në dëm të Kosovës.

Teksti i para pak ditëve lidhur me liberalizimin e vizave, po ashtu ishte një tekst që mbrapa lartësimit të këtij akti, fshihte dhe fsheh pazaret dhe dëmet që i janë bërë Kosovës dhe që do t’i bëhen gjatë javëve dhe muajve në vijim.

Nga 17 shkurti 2008 e deri më sot, pavarësia e Kosovës është komprometuar keqas, dhe në përputhje me memorandumin e dytë të Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Serbisë, të vitit 2011, është bërë shumë që klasa politike të pastrohet nga personalitete të rëndësishme, nga një strukurë e përgjegjshme shtetërore dhe kombëtare, dhe të zëvendësohen me rekurtë agjenturash kundërshqiptare, me njerëz të paaftë, injorantë dhe që janë të shantazhueshëm, të shitshëm dhe që interesat i Kosovës i kanë bërë mjete tregu për përfitime personale.

Liberalizimi i vizave që për t’u konfirmuar si mundësi kërkoi jo vetëm ratifikimin e demarkacionit me Malin eZi, por edhe shumë kompromise të tjera në kuadër të procesit negociator në Bruksel, deri në realizimin përfundimtar, do të kërkojë shumë pazare, e pse jo edhe një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila marrëveshje mund të përfshijë njërin nga tri variantet e ndarjes së Kosovës: ndarjen e brendshme nëpërmjet një “Republika Srpska”; ndarjen e jashtme nëpërmjet ndonjë skenari ukrainas, apo edhe ndarjen e jashtmë nëprëmjet të ashtuquajturit shkëmbim territoresh.

Pra, Hashim Thaçi edhe një herë nëpërmjet një manipulimi të një procesi të gjatë të marrëdhënieve me BE-në, shumë të rëndësishëm për Kosovën, të mbulojë pazaret e bëra dhe të arsyetojë pazaret tjera që do të bëhen në dëm të Kosovës, ashtu siç ka bërë edhe me pavarësinë e Kosovës, e cila u devalvua dhe u dëmtua rëndë pikërisht nga një klasë politike të papërgjegjshme, injorante, të shantazhueshme dhe të shitur për interesa kundërshtetërore dhe kundërshqiptare.

Megjithatë, asgjë e re nuk po ndodh, pasi që Hashim Thaçi dhe në përgjithësi një klasë politike idiote e shpërndarë në parti të ndryshme ka hyrë në skenë nëpërmjet manipulimit të emrit të UÇK-së, të gjakut të derdhur, por edhe në emër të presidentit Rugova, të viktimave të dhunës politike dhe të strukurave ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FARK-ut, duke përdhosur dhe devalvuar vlerat e mirëfillëta, sakrificën dhe emocionet kolektive dhe individuale të qytetarëve.

Prandaj, krejt në fund mund të shtrohet pyetja e bërë që në titull të këtij shkrimi: A do të ketë liberalizim të vizave, apo po bëhet fjalë për një “karrotë” për “Republika Srpska” në Kosovë?