A do të merren seriozisht vërejtjet e Bidenit për korrupsionin?

21.08.2016 09:54:14

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës në Kosovë ka përsëritur kërkesën për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kërkesë kjo që deri tani ka hasur në “vesh të shurdhër” sipas përfaqësuesve të opozitës dhe njohësve të kësaj çështjeje. Por Qeveria këtë herë premton se do të merret seriozisht kërkesa e Biden-it. Ky fenomen po e shkatërron perspektivën evropiane të vendit.

Kërkesat e vazhdueshme të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE) për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit po hasin në “vesh të shurdhër”. Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të opozitës dhe njohës të kësaj problematike, të cilët kanë thënë se pushtetarët në Kosovë nuk i kanë marrë asnjëherë seriozisht kërkesat ndërkombëtare për këtë çështje.

“Mesazhet e ndërkombëtarëve po iu drejtohen pikërisht atyre që e kanë sjellë korrupsionin dhe krimin e organizuar deri në këtë masë. Në njëfarë mënyre po i bie t’iu kërkosh ta luftojnë veten. Këto po shihen se janë të paefektshme, sepse nuk është hera e parë që kjo kërkohet, më herët e kanë bërë edhe ndihmëssekretarja e shtetit, si edhe kancelaria gjermane Merkel. Presidenti Thaçi, në dy mandatet e tij si kryeministër dhe një gjysmë mandati si zëvendëskryeministër, është fajtori kryesor pse e kemi një nivel të tillë korrupsioni. Mjafton ta krahasojmë prej vitit 2008 kur PDK-ja ka ardhur në pushtet deri më tani dhe e shohim se sa është rritur korrupsioni dhe krimi i organizuar, edhe pse ai mund të mos jetë fajtor personalisht, por gjatë qeverisjes së tij kjo ka ndodhur”,tha për gazetën “Zëri” Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës “Çohu”, duke shtuar se në përgjimet e fundit që po publikohen në medie ka elemente të veprës penale.

Ndërsa përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë thënë se korrupsioni në Kosovë nuk është vetëm perceptim. Përveç tjerash theksohet fakti që luftimi i korrupsionit është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën.