A do të ndërpritet ndeshja Kosovë – Kroaci?

05.10.2016 11:23:34

Ndeshja e shumëpritur mes Kosovës dhe Kroacisë mund mos ta shohë fundin e saj, pasi që tifozët problematik të Hajdukut të Splitit të njohur si ‘Torcida’, po planifikojnë të bëjnë trazira në ‘Loro Boriçi’.

Siç raporton gazeta kroate ‘Jutarnji’, ata tashmë janë organizuar që të ndërpresin ndeshjen.

Për trazira të mundshme është i njoftuar edhe zyrtari për siguri i Federatës së Futbollit të Kroacisë, Miroslav Markoviq, i cili thotë se do të merren masa për të parandaluar eskalimin e situatës.

“Është e vërtetë se kemi të këtij lloji, por nuk mund të themi se do të ndodh një gjë e tillë. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim që të parandalojmë problemet gjatë ndeshjes”, ka thënë ai.

“Nuk dua të jap detaje, pasi që kjo është punë e policisë. Deri më tani kemi shitur të gjitha 800 biletat që kanë qenë në dispozicion. Megjithatë kemi informata që dikush në mesin e tyre po planifikon që të bëjë trazira”.

“Se sa është situata serioze nuk mund të përgjigjem, por iu siguroj se ne kemi angazhuar shumë njerëz që të kujdesen për ta. Ndërsa për siguri më të detajuar do të merren policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, për të ulur në minimum numrin e incidenteve të mundshme”, ka përfunduar Markoviq.

Kujtojmë se tifozët kroatë, kanë bërë probleme edhe në Euro2016, kur për disa çaste kishin ndërprerë ndeshjen mes Kroacisë dhe Çekisë.