A do të vazhdojë konflikti me Xhavit Halitin? – Flet Arben Gashi

22.05.2018 22:14:20
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka treguar në Zona B në Klan Kosova se si ka ardhur deri tek përplasja e tij me Xhavit Halitin nga Partia Demokratike dhe nënkryetar i Parlamentit.

Sipas Gashit, ajo që ka ndodhur në Kuvend, duhet të mbetet në Kuvend dhe të mos vazhdojë më si problem.

“Raportet e mia asnjëherë nuk janë individualizuar, apo personalizuar në Kuvend”, ka thënë Gashi.

“Por, si duket kryesuesi i seancës (Xhavit Haliti) nuk ma dha të drejtën e replikës, kjo është ngjarje që është përsëritur, pastaj mënyra se si mu refuzua fjala ishte e ashpër dhe ndodhi një incident verbal që nuk është dashur të ndodhë”.

“Gjithçka ka ndodhur aty për aty dhe nuk ka asnjë lloj konflikti personal, as familjar, unë jam shumë më i ri dhe nuk kemi pasur përplasje me të, kurrë nuk kam pirë kafe me Halitin e lërmë diçka tjetër. Nuk kam pasur as muhabet me të e as kundërshtime”.

“Ka qenë një aksident momental, por kohëve të fundit ka pasur përplasje në vazhdimësi, nuk e di përse ka ndodhur kjo përplasje”.

“Gjithsesi, momentin që ulesh në karrigen e kryesuesit më nuk je palë, nga aty duhet ta shohësh sallën si një menaxher i situatës”.

“Por ajo ishte ngjarje që ka ndodhur në Kuvend dhe mbetët në Kuvend, unë për vete asnjëherë nuk jam ndjerë i intimiduar”.