A do të votojë Parlamenti Evropian sot vizat për Kosovën ?

13.09.2018 08:55:09
Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2017-01-30 12:29:36Z | http://piczard.com | http://codecarvings.com

Parlamenti Evropian do të votojë sot rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përmes këtij votimi do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të Komitetit për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) të Parlamentit Evropian. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Votimi në Parlamentin Evropian ishte paraparë për muajt e ardhshëm, por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të Brendshëm i vendeve anëtare.

Kështu, fillimisht duhet që raportuesja për vizat Tanja Fajon ta marrë mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian, proces ky i cili kalon në nivelin e grupeve punuese. Pritet që takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se pret lajm të mirë nga seanca e sotme e Parlamentit Evropian.

“Kosova ka forcën të ecën përpara drejt Evropës, drejt NATO-s, drejt miqësisë me Amerikën, pra botës perëndimore. Këto ditë jemi në pritje të lajmit të mirë edhe nga Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave,” ka thënë Haradinaj.

Kurse ministrja e Integrimeve të Kosovës Dhurata Hoxha është shprehur optimiste se qytetarët kosovarë këtë vit do të fitojnë lëvizjen e lirë.

“Jemi optimistë se sivjet do të mundë të përmbyllet procesi i vendimmarrjes nëse ka vullnet politik nga shtetet anëtare, edhe pse vendimi është në duar të shteteve anëtare dhe të BE-së”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, Kosova ka dhënë mjaftueshëm prova se është e gatshme për viza, mirëpo mbetet në dorën e shteteve anëtare të vendosin pro ose kundër kësaj çështjeje.

“Në këtë fazë mund të themi se tashmë gjithçka varet nga shtetet anëtare. Siç e dini, disa prej tyre kanë zgjedhje e në disa prej tyre po zhvillohen debate për migrimin. Vendet e BE-së kanë informacion të duhur dhe argumente se ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave. Gjithsesi, jemi optimistë se sivjet do të mundë të përmbyllet procesi i vendimmarrjes nëse ka vullnet politik nga shtetet anëtare, edhe pse vendimi është në duar të shteteve anëtare dhe të BE-së”, ka thënë më tutje Hoxha.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimit Evropian t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.