A e organizuan vëllezërit Duka thirrjen “Rama IK” në stadium?!

18.11.2019 14:21:59

Përurimi i stadiumit të ri “Air Albania” me supersfidën Shqipëri-Francë ngjalli një interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët për bileta, por që rezultoi një mision i pamundur për mijëra vetë.

Ndryshe nga herët e tjera, FSHF nuk aplikoi shitjen e biletave online, duke privuar nga e drejta për të shijuar magjinë e ‘Air Albania’ qytetarët e zakonshëm.

E gjitha kjo nuk është rastësi, por një skenar i mirëmenduar politik, i inskenuar nga kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Burime konfidenciale për Gazetën SHQIP bëjnë me dije se mijëra bileta janë shpërndare nga Armand Duka për “tifozë” të opozitës, për të krijuar thirrjet në kor “Rama ik”.

Mësohet se FSHF  ka dhuruar mbi 10 mijë bileta, ku një pjesë e mirë e tyre ishin rezervuar për militantët e PD-së. Biletat u janë dhënë aleatit të Bashës, Agron Dukës, i cili më pas ua kanë shpërndarë në terren militantëve partiakë.

Duke parë interesin e jashtëzakonshëm për këtë sfidë dhe praninë e kryeministrit në stadiumin e ri, Armand Duka vendosi t’i bëjë një shërbim politik opozitës, që u finalizua me thirrjet “Rama ik”.

Përdorimi politik i ndeshjeve të Kombëtarës nuk ka ndodhur kurrë. Përveçse me një akt të dënueshëm nga UEFA, që vepron me dorë të hekurt ndaj thirrjeve politike dhe racizmit, kemi të bëjmë edhe me një veprim të turpshëm dhe përçarës.

Shërbimi politik që Armand Duka i bëri Lulzim Bashës dhe Ilir Metës, vjen kryesisht për llogari të vëllait të tij, Agron Duka, i cili është pjesë e opozitës së bashkuar.

Përdorimi i FSHF-së si pronë private dhe për qëllime politike është i dënueshëm. Një veprim i tillë e delegjitimon pozicionin e Armand Dukës, pasi ai është zgjedhur aty për t’i shërbyer futbollit dhe jo politikës.