A është çështja çame pjesë e ndonjë marrëveshjeje të dëmshme ndërmjet Tiranës dhe Athinës?

23.01.2018 13:48:11

Nga Rexhep Kastrati

Ministri i jashtëm, Ditmir Bushati dhe ai grek, Nikos Kotzias kanë pasur një takim në Kretë dhe një tjetër në Korçë, por janë bërë publike shumë pak informacione se çka është biseduar në ato takime. Deri më tash ka informacione se janë marrë vesh për çështjen e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në shtetin aktual shqiptar, dhe për mundësinë që të hiqet ligji i luftës që Greqia ka që nga viti 1940 me shtetin shqiptar. Nuk ka ndonjë informacion se a mund të jetë diksutuar për çështjen çame, ndonëse publikisht Greqia mohon ekzistencën e kësaj çështjeje.

Megjithatë, informacionet e fundit bëjnë me dije se në Davos do të ketë një takim të nivelit të lartë, ndër mjet kryeministrave të dy vendeve: Edi Rama dhe Alexis Tzipras,e ku do të çohen më tej çështjet që janë trajtuar ndrëmjet ministarve të jashtëm të dy vendeve. Ministri i jashtëm grek, Kotzias më parë ka përmendur këtë takim, kurse e ka konfirmuar edhe vetë Edi Rama. Ajo që vlen të theksohet ka të bëjë me faktin  se ministri i Jashtëm grek është shumë i kënaqur me rezultatet e takimeve me ministrin Bushati, madje ka konfirmuar se do ta njoftojë BE-në për rezultatet e takimeve me ministrin Bushati, e që kanë të bëjnë me çështjet e hapura që 70 vjet ndërmjet dy vendeve.

Kjo do të thotë se në fshehtësi të plotë mund të ketë edhe marrëveshje për çështjen e Çamërisë dhe mund të ketë një pajtueshmëri të Qeverisë shqiptare për ta mbyllur këtë çështje kundrejt heqjes së ligjit të luftës. Një marrëveshje e tillë do të ishte thika pas shpine që i vihet kësaj çështjeje shumë të ndjeshme të kombit shqiptar, e cila tashmë ka hyrë edhe në institucione shtetërore amerikane, dhe në institucione të drejtësisë ndërkombëtare. Duhet të kujtojmë se më parë ka pasur një marrëveshje ndërmjet Tiranës dhe Athinës për njohjen e çështjes së pronës së çamëve në Greqi, e arritur nga regjimi i Sali Berishës. Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur asgjë në këtë drejtim.

Në takimet intensive ndërmjet dy kryediplomatëve të dy shteteve fqinje, nga të cilat spikat kënaqësia e palës greke me rezultatet e arritura, fillimisht vëmendja e opinionit ishte për çështjen e ujërave detare ndërmjet tyre, e pastaj doli si çështje edhe çështja e varrezave greke në shtetin shqiptar. Për çështjen çame, as që u tha ndonjë fjalë, duke e lënë mister dhe pjesë të ndonjë marrëveshjeje sekrete që mund të jetë bërë, apo negociuar ndërmjet dy kryediplomatëve e që mund të përmbyllet në takimin e paralajmëruar ndërmjet dy kryeministrave. Ndonjë marrëveshje e këtillë, vërtet do të ishte tradhti e shkallës më të lartë, sepse çështja çame, është një nga çështjet thelbësore të çështjes shqiptare dhe si e tillë nuk është mbyllur kurrë as për shqiptarët, as për bashkësinë ndërkombëtare, e cila është çështje e së drejtës elementare të njeriut për të pasur në zotërim pronat, për t’i përdorur ato dhe për t’u kthyer në ato prona, si dhe është çështje kombëtare, pasi që bëhet fjalë për një gjenocid dhe spastrim etnik të përmasave masive dhe të gjera edhe në kundërshtim me normat e atëhershme të së drejtës ndërkombëtare, e që e sanksonojnë edhe normat aktuale të së drejtës ndërkombëtare. Si e këtillë, kjo çështje kalon kompetencat dhe autorizimet e një Qeverie, të një regjimi apo të tërësisë së institucioneve të një apo dy shteteve.

Është për të theksuar se këto takime ndërmjet minsitarve të Jashtëm të dy shteteve ndodhin në një kohë kur edhe në Kosovë ka lëvizje shumë të dëmshme, e që kulmuan me takimin e ramush Haradinajt me një nga kryekriminelët dhe kryemafiozët serbë në veri, Radojçiq, si dhe me nderimet që iu bënë një krimineli të luftës, i gjykuar dhe i dënuar për krimet ndaj shqiptarëve. Po ashtu, këto takime janë zhvilluar në kohën kur çështja e statusit të shqiptarëve në Maqedoni është devalvuar në çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe , e cila edhe ashtu është bërë çështje ping pongu ndërmjet sllavomaqedonasve. Në të gjitha këto çështje Qeveria e Tiranës po përpiqet të imponohet si faktor përcaktues, kurse vetë Edi Rama po mundohet të imponohet si lider rajonal në kurriz të interesave të shqiptarëve, siç ka bërë në takimet e vazhdueshme me Aleksandër Vuçiqin, me të cilin ka arritzur shumë marrëveshje që e dëmtojnë Kosovën dhe pozitën e saj në rajon dhe përgjithësisht pozitën e saj ndërkombëtare, e që u mundua edhe të impononte një federalizim doganor dhe tregtar në dëm të saj.

Në përpjekje për t’u imponuar si lider rajonal në dëm të shqiptarëve, e së këndjemi edhe si palë lider pa të cilin nuk arrihen dhe nuk funksionojnë marrëveshje rajonale, e tërë këto për të shpëtuar lëkurën nga procesi i vettingut që po ndodh, Edi rama, duket se ka vendsour të luajë me të gjitha kartat e rëndësishme kombëtare, e që nuk mund të përjashtohet as çështja çame, duke e dëmtuar rëndë këtë. Në të kundërtën, Greqia nuk do të bindej që eventualisht të heqë ligjin e luftës me shtetin shqiptar, dhe të jetë e kënaqur me rezultatet e takimeve ndërmejt dy ministarve të Jashtëm.

Është për të theksuar në fund, se duhet një vëmendje e shtuar e gjithë opinionit, e vetë çamëve në mënyrë të veçantë lidhur me ndonjë marrëveshje të fshehtë për çështjen çame, e cila është çështje e dhimbjes dhe e tragjedisë kombëtare, e cila nuk mund të zhbëhet në asnjë rrethanë me asnjë marrëveshje.