A është demode të flasësh për çështjet shqiptare?

23.08.2016 17:05:53

Nga Artan Gaçi

100 vjet përpara, elitat ose më të ndriturit flisnin për çështje të mëdha kombëtare, ndarjen e kufijve, përçarjen e futur nga sllavët, grekët, otomanët dhe feja, flisnin për rilindjen, flisnin për gjuhën, flisnin për bashkimin e trojeve. Shqetësimi I tyre më i madh ishte ringjallja e shqiptarëve dhe e Shqipërisë.

Të ndriturit nuk flisnin të ndarë brenda vilajeteve, por diskutonin së bashku, shqiptarët e Amerikës, Arbëreshët, shqiptarët e Turqisë, ata të Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë së veriut e jugut, Çamërisë, Janinës e Manastirit.

Nuk kishte zyrë të diplomacisë kombëtare ku shqiptarët nuk bërtisnin me të madhe për çështjen kombëtare.

Njerëzit e thjeshtë dallonin, ata flisnin për hallet e të përditshmes  të detyruar nga problemet e mbijetesës dhe me vështirësi arrinin të perceptonin e të përvetësonin teza si çështja kombëtare,  bashkimi apo ringjallja e kombit.

Ata flisnin për problemet e vogla të ditës, si të shisnin ndonjë gjë të gjallë, te blinin një thes misër, të shtonin ndonjë dhomë a të çonin fëmijët në kurbet.  Kuptohet edhe garat e xhelozitë e vogla mes tyre, kush kishte 2 dimiqe më shumë, kush e kishte gomarin më të ri, kush varte ndonjë monedhë floriri më tepër se tjetri në qafë etj.

Të huajt, izolimi, injoranca dhe padija ia kishin dalë t’i shkëpusnin nga çështjet e mëdha.

100 vjet më pas, sot, po ndodh e kundërta. Njerëzit e thjeshtë kudo në Amerikë, Itali, Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri e Çamëri nuk kanë temë më të rëndësishme se çështjet kombëtare.

Kudo në çdo blog, në çdo koment, në çdo sebep qoftë familjar, festë në qytet a ndonjë ndeshje të kombëtares, shqiptarët nuk ngrihen më në këmbë kur luhet napoloni, por vetëm kur diskutohet etnia, kombësia e kur i këndohet flamurit të shqiptarëve.

Një etje e jashtëzakonshme vërehet ngado, njerëz që hulumtojnë e propagandojnë ngjarje e fakte nga historia e shqiptarëve duke marrë rolin e të ndriturve të kombit e duke rrezikuar që të bëjnë edhe dëm nga amplifikimi i ngjarjeve të pavërtetuara e me frymë populiste.

Përveç Kosovës që prej pak vitesh është një shtet i lirë e I pavarur, shqiptarët vazhdojnë të kenë të njëjtat probleme ndoshta edhe më keq nga 100 vjet më parë përreth kufijve administrativë të Shqipërisë.

Ka vazhduar asimilimi i shqiptarëve të krishterë në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri dhe Greqinë e veriut. Vazhdojnë investimet nga vendet arabe për islamin radikal si edhe ato “ndihma” që kanë për qellim ridefinimin e kufijve famëkeq të perandorisë osmane.

Janë shtuar përpjekjet dhe investimet për të asocuar etninë me fenë islame, gjë që u shkon përshtat edhe qarqeve antishqiptare sllave e greke, tezë që e kanë kalë beteje dhe argumentin kryesor për të sulmuar shqiptarët në çdo tavolinë të Europës së krishterë. Kjo është fatkeqësisht shumë evidente kryesisht në Maqedoni dhe në Kosovë, por edhe në disa zona të Shqipërisë.

Po të ndriturit e sotëm çfarë konsiderojnë çështje të rëndësishme?

Ne elitën e sotme të Tiranës, të merresh me çështjen mbarëkombëtare je demode e provincial.

Duket sikur elitat e sotme kanë ndërruar vendin më të “pandritur” e para 100 vjetëve duke u preokupuar kryesisht me çështje të ditës e interesa të vogla vetjake në kurriz të çdo gjëje që është e përbashkët apo publike. Për ta e rëndësishme është sa metra është shtëpia, sa lekë nga paratë publike vunë mënjanë, cili zyrtar apo tenderaxhi ka makinën më të madhe e me të shtrenjtë, sa ju vlejnë bizhuteritë e orët, e sa shumë para nxjerrin jashtë Shqipërisë me fshehje, blerje e shpërdorime.

Të jesh elite sot në Tiranë do të thotë të jesh i pangopur, të jesh i pari në përfitimin e parave publike, një modë e përhapur mbarë e kënd Shqipërisë ku hajduti nderohet si i zoti; Madje edhe mburren dyerve të Europës sa shumë janë pasuar e sa shumë janë emancipuar në vendin më të varfër të Europës. Harrojnë që kush vjedh e mburret vetëm në Shqipëri nderohet. Edhe për pak..

Sot të ndriturit e atëhershëm do dukeshin si budallenj, kurse ata që sakrifikonin akoma me keq. Sot moda është që parimori dhe patrioti nuk bëhet për idealizëm, por vetëm për të vënë ndonjë gjobë kur nuk t’i plotësojnë interesat.

Kuptohet që duhet dhe ca kohë që të riciklohet kjo lloj “elite” falë edhe reformës në drejtësi, por deri atëherë shumë media private, qofshin televizione, radio, gazeta e portale online mund t’i hapin nga një dritare a rubrikë periodike zërit të shumicës së shqiptarëve të zakonshëm dhe çështjes së shqiptarëve ku nuk ka asgjë për tu ndierë inferior ndaj askujt, përkundrazi është historia e njerëzve që do bënte të ndihej krenar çdo popull të botës.

Ps. Kemi harruar fare që kemi dhe TVSH-në që e ka detyrim primar çështjen mbarëkombëtare e ato me interes publik, të cilin për të mos transmetuar tallava e historitë e brekëve të Kardashianit e paguajmë të gjithë me dhjetëra miliona euro në vit.