A është i rrezikshëm krahasimi i shpalljes së pavarësisë së Katalonisë me pavarësinë e Kosovës?

 

Nga Rexhep Kastrati

1

Edhe pse presidenti atalonez, Puigdemont kishte lënë për të kuptuar se mund të mos shkonte deri në fund me pavarësimin dhe ishte shprehur pro një dialogu me autoritetet madrilene, megjithatë ajo tashmë ka ndodhur, kurse autoritetet madrilene morën vendim për shkarkimin e tij.

Është për të theksuar se referendumi i Katalonisë dhe tash edhe shpallja e pavarësisë së saj, është bërë në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, ku më e rëndësishmja është pozita shumë e paqartë e BE-së, sidomos pas BREXIT-it britanik, referendumit në Irlandën e Veriut dhe forcimit të refuzimit ndaj centralizimit të pushtetit në Bruksel, që u shoqërua me fitoren e forcave të djathta dhe me fuqizimin e së djathtës ekstreme.

2

Megjithatë, ajo që vlen për të theksuar në mënyrë të veçantë, është ndërlidhja e shpalljes së pavarësisë së Katalonisë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila më parë ishte ndërlidhur nga Serbia, kurse tash edhe nga disa shqiptarë që nuk e kanë idenë se sa i rrezikshëm mund të jetë për Kosovën një krahasim i tillë.

Serbia, vazhdimisht ka theksuar se pavarësia e Kosovës do të shërbejë si precedent për shpallje të pavarësisë nga Katalonia dhe nga disa entitete të tjera në Evropë, edhe pse në diplomacinë ndërkombëtare ishte qëndrimi se rasti i pavarësisë së Kosovës është rast sui generis dhe nuk mund t ës hërbejë si precedent për të tjerët.

Rusia, nga ana e saj, kishte përdorur pavarësimin e Kosovës si argument për pavarësinë Krimesë dhe bashkimin  saj me shtetin rus.

3

Në Kosovë, në mungesë të një klase të përgjegjshme dhe të një qëndrimi të qartë nga ana e institucioneve të saj, kanë filluar shpërfaqje entuziaste nga individë të ndryshëm që e shohin shpalljen e pavarësisë së Katalonisë me emocione të ngjashme si me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

E vërteta është se ky është një gabim, sepse këto dy raste janë të ndryshme në të gjitha aspektet e tyre:

  1. Pavarësia e Kosovës është shpallë dhe është realizuar në kontekst të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pra në kontekst të shpërbërjes së shtetit pjesë e të cilit ishte, pra edhe në kontekst të rënies së bazës juridiko-kushtetuese që do ta pengonte këtë. Në rastin e Spanjës dhe të Katalonisë nuk bëhet fjalë për kontekst të ngjashëm, sepse Spanja nuk është shpërbërë, rendi i saj juridiko-kushtetues nuk është rrënuar.
  2. Pavarësia e Kosovës ka ardhur edhe si rezultat i sjelljes hegjemoniste, raciste, gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në rastin e Spanjës dhe të Katalonisë nuk bëhet fjalë për një qasje të tillë hegjeemoniste, raciste dhe gjnocidale;
  3. Pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i rënies së regjimit totalitar që kishte ndërlidhë dispozitat kushtetuese shtetërore me dispozita partiake të një partie-shtet, e ku të drejtat e njeriut dhe ato kolektive u janë nënshtruar trajtimit diskriminues dhe totalitar. Në rastin e Katalonisë, nuk bëhet fjalë për këto, pasi që me rënien e regjimit të Frankos, kishte ndryshuar edhe trajtimi i katalonezëve, duke ua mundësuar autonominë maksimale, përkatësisht ishte realizuar një shtet brenda shtetit.

Natyrisht se një analizë më e thellë dhe më e gjerë do të vinte në pah elemente të tjera që e bëjnë edhe më të qartë dallueshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së Katalonisë, por këto që i përmenda me këtë rast, janë mjaftueshëm të qartë për ta kuptuar se çdo krahasim është i pavend.

4

Në kontekst të një qasjeje diplomatike, institucionet e Kosovës duhet të jenë më të shpejtë dhe më të qartë lidhur me qëndrimin zyrtar për shpalljen e pavarësisë së Kataloisë dhe të vënë në spikamë se krahasimet me Kosovën janë të dëmshme dhe të pavend, e jo të presin se çka po shkruhet në portale, në rrjete sociale etj.

Gjithsesi qëndrimi zyrtar nuk ka si të jetë ndryshe nga qëndrimi zyrtar i shteteve aleate, por gjithnjë duke pasur parasysh se bëhetfjalë për një shtet anëtar të BE-së dhe të NATO-s që edhe pse nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, nuk ka mbajtur qëndrim të dëmshëm ndaj tij.

Po ashtu, duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për një krizë brenda gjirit të BE-së dhe të NATO-s, e që një qëndrim i paqartë dhe jopërkatës i institucioneve të Kosovës, do të mund të kishte reflektime edhe në qasjen e tyre ndaj shtetit tonë.

Po ashtu, duhet përcjellë me kujdes përmasat e një krize të BE-së dhe NATO-s, reflektimi i saj në shtete tjera të tyre, si dhe rreziku i shpërqendrimit të vëmendjes diplomatike ndërkombëtare ndaj Kosovës, sidomos në kontekst të negociatave të Brukselit, të veprimit të hapur dhe të fshehtë të Serbisë, Rusisë dhe të shteteve aleate të tyre në Kosovë dhe rreth Kosovës në mënyrë që të parandalohen efektet negative që do të mund të prodhojnë ato edhe në kontekst të shoalljes së pavarësisë së Katalonisë.