A i dërgoi Adriatik Llalla përgjimet në Gjermani? Gazetari zbulon të vërtetën

05.07.2019 08:55:36

Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora teksa foli për publikimin e përgjimeve nga gjermania “BILD”, tha se materiale në Gjermani kanë shkuar nga një person shumë më lart se një prokuror i thjeshtë.

Sipas tij, ai që i ka çuar videot në Gjermani sot, mund të jetë edhe në Gjermani, por theksoi se nuk mund të akuzonte dot për këtë ish-prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, Adriatik Llalla

“Kjo ka të bëjë me investigimin gazetaresk. Nuk ka pasur përmbajtje të përgjimeve në median shqiptare që ka zgjedhur media të mos i publikojë. Me informacionet që kam unë nuk ka pasur.

Teknika e përgjimeve është kjo. Ka një dhomë regjistrimi në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila vihet në punë me vendim Gjykate, pasi prokuroria ia kërkon gjykatës.

Dhoma e regjistrimit i regjistron dhe i çon pastaj nëpër kompjuterat e secilit prokuror që heton çështjen dhe nuk e kanë të drejtën dhe mundësinë teknike të kopjojnë materialet, apo të krijojnë kaseta. Pra nuk ka pasur mundësi që një prokuror ta kopjojë dhe ta marrë jashtë.

Mbajtja e dosjes mund të jetë ditur nga PD-ja, por nuk ka pasur audioregjistrimin. Audio është shpërndarë në median gjermane, ndoshta nga dikush që ka pasur fuqinë në atë kohë më shumë se gjithë të tjerët, se prokurori i thjeshtë. Ai ka marrë audiot dhe i ka çuar në Gjermani, ndoshta është edhe në Gjermani sot.

Nuk mund të akuzoj dot Adriatik Llallën që është në Gjermani sot që i ka dhënë ato, por me informacionin tim nuk është zgjedhje e medias shqiptare të mos i publikojë ato. Çdo media shqiptare po të gjente një material të tillë do ta publikonte”, deklaroi ai.